Gjykimi Special

Mbrojtësi i viktimave do t’i thërrasë dëshmitarët e vet pasi t’i përfundojë ZPS-ja në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gazeta10
04 Dhjetor 2024 - 11:39

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë vendosur që dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave të thirren pasi të përfundojë dëgjimi i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Trupi gjykues urdhëron se dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave do të thirren pasi të përfundojnë dëshmitarët e ZPS-së dhe pasi të jenë nxjerrë parashtrimet, argumentet dhe vendimi që ka të bëjë me parashikimet e Rregullës 130 dhe përpara se të fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Ai po ashtu tha se të gjitha palët janë pajtuar që çdo kërkesë për zhdëmtim të dorëzohet, pasi të jetë marrë vendimi sa i takon pikave të aktakuzës dhe si rrjedhojë e dha edhe një urdhër të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Çdo kërkesë për zhdëmtim të dorëzohet pasi të jetë bërë vendimi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Smith.

Përpara kësaj, trupi gjykues në fillim të seancës tha se do të jepen disa urdhra me gojë para se të vijë dëshmitari Sokol Bashota. Megjithatë, urdhri i parë u bë në seancë private për publikun. E në seancë publike, u pranua një provë materiale, e cila ishte përdorur me këtë dëshmitar, e po ashtu edhe me dëshmitarin tjetër.

Po ashtu, është kundërshtuar pranimi në prova i një dokumenti për të cilin ZPS-ja kishte argumentuar se është i LPK-së që flet për taktikat, intelegjencën që pretendohet që të jetë marrë nga forcat serbe në Kosovë dhe t’i jetë dhënë TPNJ-së.

Mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë dokument sa i takon mospërmbushjes së rregullave që ndërlidhen me autenticitetin, autorësinë dhe origjinën.

Kryesisht, edhe urdhrat e tjerë kishin të bënin me pranimin dhe kundërshtimin e disa provave materiale të tjera.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.