Gjykimi Special

Mbrojtja e Veselit kundërshton pyetjet e trupit gjykues ndaj Bashotës: Po përpiqeni të dilni në përfundimin se Shtabi i Përgjithshëm kishte përgjegjësi kolektive

Gazeta10
04 Dhjetor 2024 - 16:32

Avokati Rodney Dixon, i cili udhëheq ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, ka kundërshtuar pyetjet e trupit gjykues të bëra nga gjyqtari Mettraux për dëshmitarin Sokol Bashota.

Ai tha se sipas tyre, trupi gjykues po përpiqet që të dal në përfundim se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur përgjegjësi kolektive dhe kjo është e ngjashme me qëndrimin e ZPS-së lidhur me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale.

“Kundërshtimin e kam në lidhje me pisën aktuale të pyetjeve që po bëni që sipas nesh ju po përpiqeni të dilni me përfundimin se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur përgjegjësi kolektive, Të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në Shtabin e Përgjithshëm. Kjo është e ngjashme me qëndrimin që po mban prokuroria kur flet për Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Kjo është një prej arsyeve që po kundërshtojmë ne, pikërisht mënyra se si po i bëni pyetjet”, tha Dixon.

Sipas tij, pyetjet e gjyqtarit janë sugjestionuese dhe orientuese. Dixon e luti gjyqtarin që të mos bëjë pyetjet në këtë formë pasi sipas tij duket se tashmë kanë dal me një qëndrim.

“Pyetjet janë sugjestionuese, orientuese. Kështu që ju lutem, nëse doni që të shtjelloni këto aspekte edhe sigurisht keni të drejtën tuaj që të bëni pyetjet tuaja lidhur më këtë çështje, ju lutem mos i bëni në këtë formë sepse duket sikur keni dal me një qëndrim dhe për të qenë të drejtë më mbrojtjen. Nëse përgjegjësia kolektive është thelbi i pyetjeve tuaja, atëherë duhet të përcaktohet se kush ka qenë i përfshirë në këto vendime, cili nga të akuzuarit ka qenë i pranishëm, cili nuk ka qenë i pranishëm në mënyrë që ta përcaktojmë se çfarë ka qenë çështja e përgjegjësive”, tha Dixon, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Megjithatë, kundërshtimi i Dixon u rrezua nga trupi gjykues duke u arsyetuar se çështjen e përgjegjësive kolektive e kanë ngritur edhe palët e tjera.

“Nuk e ka ngritë trupi gjykues për herë të parë çështjen e përgjegjësive kolektive. E kanë ngritur edhe palët e tjera dhe thjeshtë po e shtjellojmë me teje. E rrezojmë kundërshtimin tuaj”, tha kryegjyqtari.

Vlen të theksohet se kundërshtimi i Dixon erdhi pasi Mettraux u fokusua në disa prova materiale duke përfshirë edhe librin e Jakup Krasniqit ku thoshin se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë i organizuar në frymën e përbashkët dhe kolektive.

Bashota tha se kurrë nuk është interesuar se kush i ka shkruar komunikatat e UÇK-së gjatë periudhës 1998-1999 dhe se nuk e di se kush i ka shkruar ato.

Madje, ai tha se gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm kurrë nuk ka pyetur se kush i shkruante dhe nga ku shkruheshin.

“Personalisht kurrë nuk jam interesuar me e ditë dhe nuk e di. Nuk jam marrë me to dhe thash që e kam hjek herët mendjen për shkrimin e atyre komunikatave dhe nuk ka qenë punë që unë muj e bëj dhe realisht kurrë nuk kam pyetur për to se kush po i bën dhe kur po i bën, a po bëhen në Kosovë apo po bëhen jashtë. Unë informacion për këtë nuk kam dhe nuk muj me marrë përgjegjësi me e ngarku dikën për të cilën nuk e di”, tha Bashota.

Duke u larguar fokusi nga komunikatat, gjyqtari Christoph Barthe pyeti dëshmitarin se kush i shkruante deklaratat politike ose deklaratat e tjera në emër të Shtabit të Përgjithshëm gjatë kësaj periudhe.

Bashota tha se ka pasur mundësi që deklaratat politike të lëshohen edhe zyra e Adem Demaçit e po ashtu edhe Hashim Thaçi si drejtor i Drejtorisë Politike, por që këtë gjë nuk e di me siguri.

“Unë nuk e di saktë këtë por ka pas kompetenca, ka pas të drejtë me ba deklarata edhe komunikata më duket, edhe prej zyrës së zotit Demaçi. Për çështje të takimeve të ndryshme ndoshta ka mujt, për nuk e di dhe nuk jam i sigurt, si drejtor i Drejtorisë Politike, zoti Thaçi. Por, nuk e di saktë nëse ka mujt me e shkru ndonjë me autorësi të veten apo jo. Këtë nuk e di”, tha Bashota.

Krahas kësaj, dëshmitari u pyet se a ka pasur mundësi që Adem Demaçi ta ketë pasur autoritetin që t’i jepte urdhra anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm nëntor të ’98-ës dhe më vonë.

“Unë nuk mund të them ndonjë urdhër klasik në kuptimin e veprimit, por ndikimin e ka pas por edhe autoritetin po ashtu, thjesht Adem Demaçi ka qenë një emblemë dhe mbetet e tillë për krejt shqiptarët e Kosovës. Andaj, kurrë këtë s’kemi mujt me e nda nëse është urdhër ose është këshillë. Ka mjaftu me thanë zoti Demaçi një gjë dhe në të shumtën e rasteve dhe përpos problematikës që kemi pas më të rreh shkuarjes së delegacionit në Rambuje nuk kemi pas asnjë përplasje tjetër me të, as në koncepte dhe as në vizionin e tij”, tha Bashota.

Ndër tjerash, Bashota tha se nuk e di se kush e ka marrë vendimin për lirimin e dy gazetarëve serbë dhe dy të arrestuarve tjerë.

Me kaq përfundoi pyetjet gjyqtari Barthe për të vazhduar më pas me pyetje gjyqtari Guénaël Mettraux.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.