Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbrojtja: Pjetër Shala s’e sulmoi asnjë civil serb, gjykata ta dijë pse iu desh të luftonte

Gazeta10
22 February 2023 - 11:10

Jean-Louis Gilissen, avokat i Pjetër Shalës, në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka deklaruar se Shala nuk është kriminel.

Avokati tha se Shala nuk përzgjodhi të luftonte popullsinë serbe dhe asnjëherë nuk ka sulmuar një anëtar të popullsisë civile serbe dhe nuk ka sulmuar asnjë person për shkak se ishte serb.

Tutje, deklaroi se të gjithë duhet të njohin historinë kontestuale të përmendur dhe se gjykata duhet të pranojë të njohin burimet dhe arsyet se pse Shala vendosi të bëhet pjesë e rezistencës dhe luftës së armatosur.

“Mbrojtja e Shalës nuk është dakord me prezantimin e bërë nga ZPS dhe mbrojtja e viktimave, mënyrën se si vendosën të prezantonin zotin Shala. Portretizimi i Shalës prej tyre është fals. Në këtë fazë mund të them dy reflektime që i mendoj të rëndësishme për t’i theksuar. Së pari mund të bëj vetëm një apel të përgjithshëm për të qenë të kujdesshëm, kujdes ju lutem sepse kujdesi është i nevojshëm. Dëgjova dje disa gjëra shumë të çuditshme, së pari kolegët e mi si shembull kolegët nga ZPS folën për klimën e frikësimit të dëshmitarëve, ju lutem ku? Në çështjen e zotit Shala kur ka ndodhur? Ku, në çfarë momenti, çfarë ngjarje, ju lutem vetëm një na thoni”, tha avokati.

Ai shtoi se këtu janë specifikisht për çështjen kundër Shalës dhe nuk ka arsye që të përdoren prezumime nga çështjet e tjera apo fakte nga çështjet tjera në rastin kundër Shalës.

Sipas tij, nuk ka asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë pretendim që e lidh Shalën me ndonjë veprim hakmarrës dhe thotë se është e rëndësishme që kjo të thuhet për publikun, pasi publiku ka të drejtë të di të vërtetën dhe jo të dëgjojë një skenar.

“Mbrojtja e zotit Shala vëren në këtë fazë atë që quhet një mungesë reale e informacionit rigoroz që ka të bëjë me të shkuarën e zotit Shala, është e çuditshme të ketë një çështje pa ditur asgjë për fëmijë dhe vitet tjera të zotit Shala dhe kolegët e nderuar nuk thanë asnjë për Shalën, familjen e tij, historikun e tij dhe se si zoti Shala u bë pjesë e UÇK-së”, tha avokati tutje.

Sipas tij, sigurisht disa gjëra të pakëndshme kanë ndodhur në të shkuarën e tij dhe u thanë aty-aty, por asgjë sipas tij nuk ishte objektive lidhur me atë se nuk duhet të ishte asgjë tjetër përveç thashetheme, përveç fjalë dhe shtoi se është i shqetësuar për mënyrën e procesit gjyqësor.

“Megjithatë për mua, kjo çështje penale nuk ka informacion të mjaftueshëm, është i mbështetur në thashetheme. Do të doja të tregoni pak më tepër modesti në këtë aspekt. Dua të ju kujtoj se zoti Shala është dhe mbetet deri në momentin kur të vendoset nga trupi gjykues në një situatë të ndryshme, zoti Shala është tërësisht i pafajshëm derisa të dënohet nga gjykata dhe ajo që dëgjova dje është që ju vendos gishti fajtor, ky është fillimi i procesit gjyqësor”, deklaroi tutje avokati.

Avokati thotë se Shala ishte rezistues e luftëtar i vërtetë i lirisë, që luftoi kundër agresioneve të padrejta ndaj patriotëve të tij.

Avokati Jean-Louis Gilissen, në deklaratën e tij hyrëse, ka deklaruar Pjetër Shala ishte një rezistues, ishte luftëtar i vërtetë i lirisë, që luftoi kundër agresioneve të padrejta ndaj patriotëve të tij

Në fillim, avokati tha se një ditë më parë në gjykatë ka dëgjuar emocionet e shprehura nga disa prej folësve dhe dëshiron të thotë se ai nuk ka asnjë dyshim për sa i takon ndarjes së dhimbjes apo për të raportuar për ngjarje të tmerrshme, për të cilat po flitet dhe për të bërë gjykatën të përjetojë fatkeqësinë e personave që pretendojnë të jenë viktima, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjithashtu, ne ju kërkojmë që ju t’i përdorni këto parashtrime pas faktike, në mënyrë të tillë që drejtësia të bëhet. Unë personalisht synoj të respektoj plotësisht vuajtjen dhe dhimbjen e atyre që kanë qenë viktima”, tha ai.

Sipas tij, askush nuk e mohon që në Kosovë më 1999 ka pasur 900 mijë viktima direkte të abuzimeve të shumta dhe represionit të politikave shtetërore dhe kjo nuk është politikë, por e vërteta dhe ata janë viktima të vendimeve të marra nga shteti serb për të bërë agresion ndaj popullsisë civile.

Jean-Louis Gilissen tha se policia e madje edhe ushtria e të gjitha mjetet e disponuara në një shtet ishin në dispozicion të sulmeve të tilla, përfshirë grupe paramilitare dhe mizore që vinin veçanërisht nga Serbia në Kosovë.

“Vërtet kanë kryer sulm të përgjithshëm dhe diskriminues dhe pa dallim fare ndaj popullsisë së pafajshme”, deklaroi ai.

Tutje, theksoi se bëhet fjalë për burra, gra, të rinj, fëmijë të shumtë dhe tha se këtë gjë fotoja më poshtë e tregon këtë dhe flet vetë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.