
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Mbrojtja e ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqit, ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, në Hagë, duke argumentuar se prokuroria nuk ka prova që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara. Avokatja është shprehur Krasniqi nuk ka marrë pjesë në aktivitete operacionale, sepse ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së. Sipas saj, Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së.
Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, ishte e fundit që dha fjalën hyrëse, para trupit gjykues.
Avokatja Venkatesëari Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka asnjë provë të besueshme që e lidh Krasniqin me ndonjë krim e as për qëllime të përbashkëta kriminale.
Sipas saj, njëri nga 6 gabimet fatale që ka bërë Prokuroria është se e keqkupton ose qëllimisht e keq përfaqëson rolin e Krasniqit në UÇK.
Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e keq përfaqëson rolin personal të zotëri Krasniqit…Nga qershori i vitit 1998 zotëri Krasniqi ishte zëdhënës… Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacione ushtarake, roli i tyre është kontakti dhe marrëdhëniet me publikun… Ju do të dëgjoni dëshmitar që flasin për strukturën e UÇK disa prej të cilëve nuk kanë as një bazë të historive të tyre të supozuara përtej thashethemeve apo spekulimeve të painformuar. Do të dëgjoni edhe dëshmitar që do flasin për Krasniqin edhe pse ata dinë vetëm emrin e tij, apo e kanë parë në televizion apo medie apo vite pas përfundimit të konfliktit.”, tha Venkatesëari Alagendra- Avokatja e Jakup Krasniqit.
Avokatja ka thënë se prokuroria mbivlerëson organizimin e UÇK-së. Ajo tha se provat do të tregojnë se UÇK-ja nuk kishte zinxhir funksional vertikal komandues ashtu siç pretendon Prokuroria Speciale.
“Kjo ishte një fantazi. Prokuroria duket se është pjesë e propagandës kundër UÇK-së, duke nxjerr dokumente nga çka ka qenë situata në terren. UÇK nuk e kishte strukturën e një ushtrie”, tha Venkatesëari Alagendra- Avokatja e Jakup Krasniqit.
Gjatë seancës, avokatja e Krasniqit, Alegendra u shpreh se UÇK-ja ishte mbështetur nga NATO-ja. Ajo konsideron se Prokuroria Speciale po e anashkalon këtë mbështetje.
“Prokuroria anashkalon domethënien e mbështetjes së NATO-s për UÇK-në. Një tipar i pamohueshëm është mbështetja e NATO-s në Kosovë për UÇK-në. NATO u angazhua me UÇK-në në nivele të ndryshme. Pa sulmet ajrore të NATO-s forcat serbe nuk do të ishin larguar nga Kosova. Në të njëjtën kohë Prokuroria pretendon se kishte një plan të përbashkët kriminal që ajo tha para dy ditësh se ky plan nuk ishte sekret, u tha në publik kjo gjë. Kjo do të thoshte se NATO-ja mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur, kjo nuk mund të jetë gjithsesi e drejtë, kjo është padiskutim e gabuar”, tha Venkatesëari Alagendra- Avokatja e Jakup Krasniqit.
Një ditë më parë, para trupit gjykues deklaratat hyrëse i kanë dhënë mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Më 11 prill pritet që të nisë dëgjimi i 12 dëshmitarëve të parë. /Gazeta10