Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbrotja e Thaçit dhe Veselit: Pretendimet e ZPS-së të pavërteta

Gazeta10
04 April 2023 - 19:40


Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Të gjitha pretendimet e paraqitura një ditë më parë nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë hedhur poshtë nga mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së, në ditën e dytë të nisjes së gjykimit në Hagë.

Mbrojtja e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, kanë rrëzuar pretendimet e ZPS-së, se UÇK-ja kishte vepruar si ushtri e organizuar dhe duke mohuar se ajo kishte hierarki funksionale.

Në fjalën e tij hyrëse, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe u shpreh se klienti i tij nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie në terren.

“Dje dëgjuam shumë informacione se UÇK-ja luftonte LDK-në dhe se LDK-ja ishte pjesa e kundërshtarëve që UÇK-ja ishte pas tyre, por FARKU ishte krahu ushtarak i LDK-së dhe ata po përpiqeshin që të bëheshin pjesë e LDK-së, e kësaj dorës së zgjatur të LDK-së, ndërkohë që përpjekja ishte që të bashkohen të dyja këto njësi. Nëse shohim individët që ishin në takim, dhe bëhet fjalë për datën 2 nëntor 1998, ndërkohë që Thaçi është kaq i rëndësishëm, ndërkohë Thaçi nuk ka qenë fare në takim, çfarë mund të mundte, kush do të merrte vendimin dhe persona që ishin pjesëtarë të këtij takimi ishin Adem Demaçi, Bujar Bukoshi një përfaqësues i UÇK-së dhe një tjetër përfaqësues i LDK-së. Pra, as nuk përmendet fare Hashim Thaçi. Dhe, arsyeja pse është kështu është e qartë, sepse sipas përgjegjësisë së komandës dhe kontrollit për operacionet luftëtare në teren, Hashim Thaçi nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie”, u shpreh Keohe.

Ndërkohë, avokati tjetër i ish-presidentit, Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq tha se Prokuroria Speciale nuk paraqet prova që Thaçi të ketë dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së për të kryer krime.

“Prokuroria nuk paraqet prova që zotëri Thaçi t’u ketë dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së, apo si anëtar i shtabit të përgjithshëm, apo si kryeministër i kësaj qeverie të përkohshme, po kështu prokuroria nuk ka as prova të linjave të raportimit midis zotëri Thaçi dhe njësive të UÇK-së dhe kryesve. Nëse nuk ka urdhra të tillë dhe linja raportimi nga njësitet e UÇK tek zotëri Thaçi është e paqartë se si mendon prokuroria se mund të vërtetojë se ekziston një marrëdhënie epror-vartës midis zotëri Thaçi dhe kryesve të këtyre krimeve. Mbi të gjitha ishte e qartë që zotëri Thaçi nuk kishte mundësinë materiale për të parandaluar apo ndëshkuar krimet”, tha ai.

Madje, Mishetiq publikoi edhe materiale e video se si Thaçi bënte thirrje menjëherë pas luftës për paqe mes të gjitha etnive.

“Ai është i brengosur për aktet e dhunës kundër serbëve dhe për largimin e serbëve duke thënë se jemi angazhuar që në ditën e parë për të krijuar një shoqëri ku sundon toleranca dhe jo hakmarrja, u kërkojmë serbëve që janë larguar nga Kosova të kthehen dhe të ndihmojnë për ndërtimin e paqes dhe demokracisë dhe respektimin e njëri-tjetrit…  Zotëri Thaçi bëri thirrje publike për tolerancë dhe unitet etnik gjatë gjithë verës të vitit 1999”, u shpreh ai.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se mbrojtja në themel e kundërshton përshkrimin që Prokuroria i ka bërë UÇK-së si një organizatë që drejtohej nga lartë-poshtë.

“Ju tashmë e dini se mbrojtja në themel e kundërshton përshkrimin që prokuroria i ka bërë UÇK-së si një organizatë që drejtohej nga lartë-poshtë, apo që udhëhiqej administrohej apo mikroadministrohej nga individë që përgjithësisht thuhet se kanë qenë anëtarë të shtabit të përgjithshëm. Dëshmitar pas dëshmitari në proceset e mëparshme në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) e kanë përshkruar strukturën e pushtetit brenda UÇK-së si një strukturë e që në thelb ishte horizontale-vertikale, ku komandantët e zonave madje edhe komandantët lokalë më në bazë ushtronin nivele shumë të larta autonomie dhe e konsideronin veten se ishin në nivel operativ tërësisht të pavarur nga njëri-tjetri por dhe nga shtabi i përgjithshëm.

Ai shtoi se historia e trafikimit të organeve është mit, kurse disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike

Seanca do të vazhdojë nesër me paraqitjen e fjalës hyrëse nga avokat i Jakup Krasniqit.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020, ndërsa, të hënën u mbajt seanca e parë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.