Kontaktoni

info@gazeta10.com

Gjykimi Special

Më 3 prill fillon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Gazeta10
15 February 2023 - 19:29

Raporti: Kanal10 / Kanal10

Gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të fillojë më 3 prill, ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith. Vendimi është marrë pasi një datë të tillë e kanë propozuar avokatët e të akuzuarve dhe nuk ka pasur kundërshtime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Gjykimi fillon me deklaratën hyrëse të prokurorisë, e cila pritet të zgjasë deri në pesë orë.

Më 3 prill, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Këtë datë të fillimit të procesit gjyqësor e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, pasi paraprakisht pajtim për një gjë të tilla ka shfaqur mbrojtja e të akuzuarve dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.  

Në pjesën e fundit të konferencës përgatitore të së mërkurës, është bërë e ditur se gjykimi fillon me deklaratën hyrëse të prokurorisë, e cila pritet të zgjasë deri në pesë orë.

“Fillon çështja më 3 prill në orën 09:00, deklarata hyrëse e ZPS-së do të zgjasë jo më shumë se pesë orë, e përfaqësuesit të viktimave siç e thatë 45 minuta. Mbrojtja e Thaçit do t’i duhen tre orë, mbrojtja e Selimit një orë maksimumi, mbrojtja e Krasniqit një orë e gjysmë, dhe do të ketë edhe pyetje të trupit gjykues. 45 minuta deklarata hyrëse e mbrojtjes së Veselit. Ju kërkojmë palëve që në deklaratat e tyre t’u shmangen deklaratave të natyrës politike, duhet në ato deklarata të përqendrohen në çështje thelbësore që lidhen me provat dhe argumentet e tyre dhe të mos i përsërisin gjërat që i kanë thënë në dosjet paraprake.”, tha Charles L Smith – Kryetar i trupit gjykues.

Në pjesën e parë të konferencës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.

Aty ZPS ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zvogëlojë akuzat në këtë moment kohor, derisa ka shtuar se synon të paraqes prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi.

Ndërsa turpi gjykues edhe njëherë ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën që ka kërkuar prokuroria për çështjen e saj dhe që arrin deri në 700 orë.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se kanë me mijëra faqe dëshmish, duke shtuar se prokuroria synon të përfshijë të gjithë informacionin që ka, edhe atë që një person mund ta ketë mësuar nga palët e treta.

“Është një shqetësim serioz për ne duke pasur parasysh që formulimi i kësaj çështje nga ZPS lidhur me mënyrën se si i mbrojmë ne të drejtat e klientëve duke pasur kaq shumë informacion që nuk është theksuar, që nuk është vënë në dukje se çfarë duhet përqendruar në pyetjet tona. Ne po flasim për një çështje që është dy herë e gjysmë më e madhe ajo e Ratko Mlladiq apo Karaxhiq”, tha Gregory Kehoe – Avokat i Hashim Thaçit.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson.

“Një nga gjërat që mund të bëni ju si trup gjykues mund ta keni parasysh, të përdorni pra diskrecionin tuaj për këtë gjë, sepse vet zgjatja është armike e drejtësisë, armik i të drejtave të akuzuarve të mos mbahen të paraburgosur apo t’i nënshtrohen një përndjekje penale që është në mënyrë të paarsyeshme e gjatë.”, tha Ben Emmerson – Avokat i Kadri Veselit.

Për të drejtat e të akuzuarve ka folur edhe mbrojtja e Rexhep Selimit dhe e Jakup Krasniqit, për çka ka theksuar se ata kanë të drejtë në mundësinë që çështja e tyre të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.