
Interpretimi i këngës serbe “Oj, Kosovo, Kosovo” gjatë një koncerti në Bruksel, në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ka nxitur reagime të shumta, duke marrë vëmendjen edhe të mediave në rajon.
Portalet kroate, boshnjake dhe sllovene kanë raportuar për polemikat që pasuan interpretimin e kësaj kënge, e cila përmban vargje me pretendime territoriale serbe ndaj Kosovës.
Mediumi kroat “Tportal” e ka cilësuar këngën si nacionaliste serbe, duke pasqyruar reagimet e zyrtarëve kosovarë dhe eurodeputetëve, të cilët kritikuan përzgjedhjen e saj në një aktivitet të organizuar në kuadër të institucioneve evropiane.
Edhe “Index.hr” i ka kushtuar vëmendje këtij rasti, duke publikuar disa nga vargjet e këngës dhe duke veçuar reagimin e ambasadorit të Kosovës në Bashkimin Evropian, Agron Bajrami. Ky i fundit deklaroi se kënga përmban pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, mediumi boshnjak “Klix.ba” është ndalur edhe te prejardhja e këngës “Sa Kosova zora sviće”, e njohur ndryshe si “Oj, Kosovo, Kosovo”. Sipas këtij mediumi, ajo është shkruar në vitin 1989 nga kompozitori serb Ljubomir Manasijeviq, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës.
Në anën tjetër, gazeta sllovene “Delo” ka vënë në pah faktin se kënga u interpretua nga muzikantë sllovenë, në një aktivitet që synonte të përfaqësonte vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Për këtë çështje ka reaguar edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës. Ajo ka thënë se interpretimi i saj prek tema të ndjeshme, veçanërisht për shkak të historisë së dhimbshme dhe përvojave të ndryshme të komuniteteve në Kosovë.
Kos ka theksuar se ky interpretim nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian dhe as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj.
Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, e ka cilësuar këngën si nacionaliste serbe, duke kritikuar edhe faktin që Kosova nuk ishte ftuar në këtë aktivitet.
Reagim ka pasur edhe nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i cili e ka cilësuar përzgjedhjen e këngës si “provokim të qëllimshëm ose injorancë të plotë”.
Polemikat kanë nxitur reagime dhe kërkesa për sqarime nga institucionet evropiane, ndërsa raportimet e mediave rajonale kanë bërë që rasti të marrë përmasa më të gjera diplomatike, duke e kthyer koncertin në Bruksel në një çështje diskutimi përtej kufijve të Kosovës.