
Raporti: Saranda Alshiqi / Kanal10
Tavanet e klasave në shkollën e muzikës në Mitrovicë po vazhdojnë të dëmtohen. Kjo si shkak të objektit të vjetër, derisa nxënësit po e shohin si rrezik vazhdimin e mbajtjes së mësimit. Nga drejtoria e shkollës thonë se vazhdojnë të bëjnë kërkesa, derisa nga komuna thonë se kanë nisur inicimin e projektit për ndërtimin e shkollës së re.
Melodive nga shumë instrumente, u janë shtuar edhe tingujt e ujit që depërton brenda klasave.
Në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, dy klasa janë bërë të pashfrytëzueshme, si pasojë e rënies së vazhdueshme të pjesëve të tavanit.
Nxënësit e shkollës thonë se ndihen të rrezikuar nga shembja e tavanit, që po ndodh për shkak të reshjeve të shiut e borës.
Ata thonë se nevoja për objekt të ri është e nevojshme.
Edhe mësimdhënësja, Rina Ferri Ademi, thotë se mësimin po e bëjnë në kushte të rënda, derisa gjatë orëve duhet të ndërrojnë edhe klasat.
Ndërsa, drejtoresha e shkollës, Valbona Prekazi thotë se kushtet vijnë e bëhen më të vështira për mbajtjen e mësimit, derisa thotë se kanë bërë edhe kërkesat për nevojën e shkollës së re.
Për këtë, drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu fajëson qeverisjen e kaluar, por pavarësisht kësaj, ajo thotë se komuna tashmë ka iniciuar projektin për shkollën e re.
Janë rreth 300 nxënës që vijojnë mësimin në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë.