
Kreu i PDK-së, Memli Kransiqi, në një konferencë për media e ka prezantuar kandidatin e partisë për kryeministër, Bedri Hamzën. Kransiqi ka thënë se Hamza do ta drejtojë ekipin, që sipas Krasniqit do ta rikthejë Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.
Krasniqi ka deklaruar se Hamza është njeriu i duhur një detyrë të tillë.
“Unë, sot jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën, kandidatin tonë për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Njeriu që do ta ringjallë ekonominë tonë, njeriun që do ta udhëheqë ekipin më të denjë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Bedriu është i dëshmuar, është i provuar, është i përkushtuar dhe i gatshëm. Bedri Hamza është njeriu i duhur për këtë detyrë. Arritjet e tij në të kaluarën si Ministër i Financave, si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovë, por edhe të arriturat e tanishme si Kryetar i Mitrovicës, flasin më së miri për punën e tij. Në secilën detyrë publike, Bedriu ka shkëlqyer dhe ka lënë prapa rezultatet të mëdha. Ai ka dëshmuar se gjithmonë i ka shërbyer të mirës së përbashkët dhe është siguruar që askush të mos mbetet prapa”, tha ai.
Duke kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, sepse është dëshmuar se çdo ditë e Qeverisë Kurti në pushtet është ditë e humbur për Kosovën, Krasniqi tha se modelit aktual të udhëheqjes nga një njeri, PDK do t’i vë përballë modelin e udhëheqjes nga një ekip.