Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mërgimtari ankohet se nuk u kompensua për aksidentin

Gazeta10
07 Gusht 2023 - 19:09

Raporti: Egzona Shala / Kanal10

Një mërgimtar nga Zvicra po kërkon dëmshpërblimin nga kompania e sigurimit pas një aksidenti që ka pësuar në Kosovë, në muajin prill të këtij viti. Vlera e cila i është ofruar nga kompania e sigurimit nuk mbulon shpenzimet e dëmeve, andaj për këtë çështje ai ka paraqitur ankesë për rritje të vlerës. Nga BKS-ja kanë thënë se nëse pala nuk është e kënaqur me dëmshpërblimit, mund të ndjekë rrugët ligjore.

Urim Dakaj nga Prizreni çdo vit bën mijëra kilometra nga Zvicra për t’i kaluar pushimet në atdheun e tij.

Por, një aksident rrugor të cilin e ka pësuar në prill të këtij viti, sa po qëndronte në vendlindje, ka bërë që procedurat e sigurimit të zgjasin me muaj.

E kjo çështje, thotë se e ka shqetësuar pasi edhe pas pritjes së gjatë, dëmshpërblimi nga kompania e sigurimit nuk i mbulon shpenzimet e dëmit, pavarësisht që ai posedon policën e sigurimit.

Ai thotë se vlera të cilën kompania në Kosovë ia ka ofruar është 620 euro, ndërkaq, sipas tij, rregullimi i pjesëve të dëmtuara kap vlerën e 1200 eurove.

Pas një muaji, Dakaj ka paraqitur tek kompani një ankesë përmes së cilës ka kërkuar vlerë më të lartë të dëmshpërblimit.

Ankesa është aprovuar, derisa atij i është ofruar vlera e 800 eurove.

Por, edhe kjo vlerë thotë se është e papranueshme, pasi për rregullimin e veturës, ai detyrohet të shpenzoi nga xhepi i tij.

Për rastet e tilla, kur mërgimtarët përfshihen në aksidente kanë folur nga Byrja Kosovare e Sigurimit.

Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku ka thënë se i dëmtuari pas parashtrimit të ankesës, mund t’i ndjekë hapat ligjor.

Kanal 10 ka kërkuar përgjigje edhe nga kompania e sigurimit me të cilën është në procedurë pala, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje me email dhe nuk kanë qenë të qasshëm përmes telefonit.

Ndryshe, këtë vit, polisat për mërgimtarët nuk janë rimbursuar nga Qeveria e Kosovës, për shkak të mungesës së marrëveshjes me BKS-në.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.