
Sulmuesi i Ballkanit, Meriton Korenica, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e nëntë të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Korenica ishte lojtari më i dalluar i Ballkanit në ndeshjen ndaj Gjilanit, ku skuadra e drejtuar nga Ilir Daja arriti të triumfonte me rezultat 2-0.
Korenica në këtë ballafaqim shënoi golin e dytë për të volusur fitoren e kampionit në fuqi të Kosovës në kryendeshjen e xhiros së nëntë në elitën e futbollit kosovar.
Korenica u shpreh i lumtur që skuadra e tij u rikthye në ‘folenë’ e vet me fitore, teksa u shpreh i nderuar me çmimin ‘Ylli i Javës’.
“Jam shumë i lumtur për këtë çmim, por edhe për golin dhe fitoren e shënuar dje. Shpresoj që gjatë këtij kampionati unë ose bashkëlojtarët e mi të ritkhehemi sa më shpesh këtu për ta marrë çmimin e më të mirit të javës. Ballkani është në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin e kampionit dhe do të luftojmë ndeshje pas ndeshjes që të shënojmë sa më shumë fitore dhe të dalim triumfues të Albi Mall Superligës”, ka theksuar Korenica.
Ndeshjen e ardhshme Ballkani e luan në Ligën e Konferencës kundër ekipit turk, Sivasspor.