
Në emisionin “Info10” , Reshit Kushaj nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, duke folur rreth përfundimit të këtij viti shkollor, ka deklaruar që ky vit shkollor pavarësisht që kishte nisur me një muaj vonesë ka përfunduar suksesshëm dhe për këtë ai ka falënderuar mësimdhënësit.
Ai tutje foli edhe për kompensimin e orëve të humbura duke thënë se të gjitha orët e humbura janë kompensuar, përmes mbajtjes së mësimit ditëve të shtuneve, gjatë pushimit pranveror dhe tani duke mbajtur mësim deri në ditën e sotme.
“Ka qenë pak e vështirë mbajtja e mësimit gjatë të shtunave por mësimdhënësit kanë mirëkuptuar sepse nuk ishte hera e parë që ne mbajmë greva por me grevën e fundit sikur u forcuam edhe më shumë sepse ishim më të organizuar në realizimin e kërkesave të cilat nuk janë realizuar plotësisht por megjithatë jemi në proces të realizimit të tyre” tha Kushaj.
Ai ka falënderuar edhe prindërit për mirëkuptimin që patën ndaj mësimdhënësve në kohën e grevës.
Kushaj tutje foli edhe për komunikimin që kanë me Qeverinë e Kosovës duke thënë se pas takimit që Ministria e Arsimit ka pasur ditë me parë me nënpresidentin e arsimit të mësimdhënësve amerikanë dhe nga ky takim presim që MASHT-i të rikthejë bashkëpunimin me SBASHK-un.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të këtë përseri greva nëse Qeveria e Kosovës nuk realizon kërkesat e mësimdhënësve duke u nisur nga ngritja e koeficientit nga viti 2024 ashtu siç kanë premtuar. Gazeta10/