
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Mijëra bashkatdhetar nga e gjithë Evropa, në afërsi të Gjykatës Speciale në Hagë kanë protestuar, duke shprehur mbështetjen e tyre për krerët e UÇK-së, ndaj të cilëve të hënën ka nisur procesi gjyqësor. Ata kanë thënë se besojnë fuqishëm në pafajësinë e tyre. Nga atje, edhe vajza e Jakup Krasniqit ka thënë se lufta e UCK-së nuk do të njolloset asnjëherë.
Mijëra bashkatdhetarë, nga vende të ndryshme të Evropës, edhe njëherë i kanë dhënë mbështetje atdheut të tyre dhe luftës për liri.
Me pankarta në duar duke kërkuar drejtësi, me thirrje e me flamuj kombëtar, shtetëror e ata të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata kanë protestuar në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Bashkë me mijëra mërgimtarë, ishin edhe disa prej familjarëve të të akuzuarve, Hahsim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Në mesin e tyre ishte edhe Gresa Krasniqi, vajza e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Bashkatdhetarët kanë thënë se besojnë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, derisa gjykimin ndaj tyre e kanë konsideruar si tërësisht politik dhe të pabazuar.
Nga Belgjika në drejtim të Hagës ka marrë rrugën edhe ky bashkatdhetar, që për një moment përmallohet me muzikën që dëgjohej në sfond, e me të cilën thotë se ishte rritur në Polac të Skenderajt.
Ndërkaq, kishte të tjerë që në gjuhën angleze tentoi t’i tregonte botës për historinë e luftës së Kosovës.
Gjenerali i njohur shqiptar, Kudusi Lame, ka bërë thirrje nga Haga që të gjithë bashkëkombësit të bëhen bashkë në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe krerëve të saj.
Gjithashtu, pjesë e kësaj protesta të Hagë, përveç mijëra mërgimtarëve kanë marrë pjesë edhe ish-luftëtarë të tjerë të UÇK-së, politikanë, si dhe mbështetës të shumtë të luftës për liri.