Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Ministri i Shëndetësisë tregon pagën që e kishte në spitalin privat, opozita e kritikon

Gazeta10
14 February 2023 - 19:25

Raporti:Viola Korça/Kanal10

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka raportuar të martën para komisionit të Shëndetësisë, për herë të parë pas emërimit si ministër. Raportimi u përcjellë me përplasje mes tij dhe deputetëve të partive opozitare. Vitia është përgjigjur në pyetje të shumta lidhur me punën e tij në privat, si dhe kthimin në krye të shëndetësisë, si dhe prioritetet e tij gjatë mandatit të tretë.

Me një varg pyetjesh është përballur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në raportimin e parë para komisionit parlamentar, pas emërimit për herë të tretë në krye të këtij dikasteri.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, kanë kritikuar gjendjen në këtë sektor, për çka kanë kërkuar të dinë nga ministri Vitia, nëse ai sërish do ta braktisë sistemin dhe pyetje të tjera që lidhen me pagën e tij që ka marr në sektorin privat.

Këtyre pyetjeve u është përgjigjur Vitia, duke thënë se pagën në spitalin privat “Olive” e ka marrë në shumë prej 3500 eurosh dhe se aty punon edhe bashkëshortja e tij.

Ai ka thënë se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka gjetur konflikt interesi në rastin e tij.

Kritika për gjendjen e sektorit të shëndetësisë për dy vitet e fundit ka hedhur ish-ministri, Armend Zemaj, njëherësh deputet i LDK-së.

Ai ka thënë se probleme më të theksuara kanë qënë mungesa e barnave të listës esenciale, lista e pritjes për intervenime, si dhe ikja e profesionistëve shëndetësorë.

Gjithashtu, kritika ka adresuar edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, duke thënë se shëndetësia kurrë më keq nuk ka qenë.

Derisa, këtyre akuzave u është përgjigjur ministri Vitia, duke thënë se sektori i shëndetësisë është në gjendje të rëndë, si pasojë e qeverisjeve në 20-vjeçarin e kaluar.

Ndërkohë, gjatë raportimit të tij, ministri Vitia, ka thënë se prioritet i këtij dikasteri do të jetë Ligji për Shëndetësi dhe ai për Sigurime Shëndetësore.

Gjithashtu, ai ka thënë se do të punohet për të siguruar profesionistë shëndetësorë në fushat deficitare, zvogëlimi i listave të pritjes, kontrolli i sigurisë së barnave, mbikëqyrja e institucioneve private dhe shërbimeve që ofrojnë.

Derisa, sfiduese e ka vlerësuar ikjen e personelit shëndetësor jashtë vendit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.