
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Edhe dita e dytë e dëshmisë së dëshmitares së mbrojtur në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar e mbyllur për publikun, derisa po përgjigjej në pyetjet e avokatëve mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi. E, ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se si institucione, besojnë në pafajësinë e tyre.
Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar edhe të mërkurën e ka vazhduar dëshminë e saj para trupit gjykues në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë u zhvillua e mbyllur për publikun, derisa dëshmitarja përgjigjej në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është deklaruar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se si institucione besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK që po gjykohen në Hagë.
Sipas saj, deri tani Qeveria e Kosovës ka paguar rreth 18 milionë euro për ekipet mbrojtëse.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.