
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimit të alpinistes Mrika Nikçi se është sulmuar seksualisht.
Haxhiu ka thënë se për shkak të rritjes së rasteve të dhunës e ngacmimit seksual, para disa javëve kanë punuar në ndryshimin e Kodit Penal në drejtim të ashpërsimit të masave e dënimeve për dhunuesit dhe ngacmuesit.
“Të njëjtat, do t’i finalizojmë dhe procedojmë tutje javën e ardhshme dhe do të përkujdesemi që të gjitha procedurat deri në fuqizim të bëhen në kohë sa më të shpejtë. Institucionet e drejtësisë duhet të shqiptojnë dënime maksimale për dhunuesit e ngacmuesit seksual”, shkroi ajo në Facebook./Gazeta10