
Raporti: Arbenita Ilazi / Kanal10
Kosova dhe Serbia janë pajtuar rreth deklaratës për personat e zhdukur. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell, ka thënë se një marrëveshje e tillë është hapi i parë i përmbushjes së zotimeve pas marrëveshjes së Ohrit. Derisa, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur kanë thënë se Serbia do të detyrohet të hap arkivat e saj.
Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtim për tekstin e deklaratës për personat të zhdukur.
Pajtimi për këtë, është arritur në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka thënë se marrëveshja për të zhdukurit, është hapi i parë i përmbushjes së zotimeve.
Sipas tij, planifikohet që teksti i kësaj deklarate të miratohet në takimin e radhës të nivelit të lartë.
“Serbia dhe Kosova janë zotuar në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin. BE-ja pret që dyja palët të respektojnë gjitha obligimet dhe të fillojnë sa më shpejt zbatimin. Palët duhet të evitojnë çdo përshkallëzim të mundshëm. Përkthimi i përkushtimeve në rrugët e tyre evropiane po vazhdon. Marrëveshja që është arritur për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë në nivel të liderëve në takimin e radhës të nivelit të lartë të cilën do ta organizoj”.
Ndërkaq, një pajtim të tillë e ka mirëpritur kryesuesi i komisionit qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, i cili ka thënë se pas 24 vitesh për herë të parë do të ketë adresim të drejtë të përgjegjësive për të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb. Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishme, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë”, tha Andin Hoti – Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Pavarësisht, që një pajtim i tillë konsiderohet si i mirëseardhur, edhe sipas njohësit të zhvillimeve politike, Belgzim Kamberi, ka edhe shumë çështje tjera të rëndësishme që kanë ngecur.
Kurse, analisti Blerim Gashi ka thënë se takimi i ardhshëm do të jetë fillimi i zbatimit të pikave të dakorduara në marrëveshjen e Ohrit.
Ndryshe, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar të martën në Bruksel, ku kanë diskutuar për tema të ndryshme, përfshirë të zhdukurit, energjinë, targat dhe Asociacionin.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se janë pajtuar gjithashtu për një takim të ardhshëm ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 22 prill të këtij viti.