Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Mitrovica, shumë dëme në shtëpi e biznese

Gazeta10
22 January 2023 - 18:50

Raporti: Gentiana Gashi / Kanal10

Qytetarët dhe afaristët në Mitrovicë shprehen të shqetësuar për dëmet e shumta që u janë shkaktuar si pasojë e vërshimeve të ditëve të fundit. Ata thonë se shumë shtëpi u janë shkatërruar, derisa janë dëmtuar edhe shumë pajisje shtëpiake. Qytetarët kanë kërkuar ndihmë nga organet shtetërore, pasi kanë thënë se për shkak të humbjeve të mëdha, rimëkëmbjen do ta kenë të pamundur.

Edhe tri ditë pas vërshimeve, qytetarët e Mitrovicës vazhdojnë t’i numërojnë dëmet e shumta që u janë shkaktuar.

Shtëpia e Shefqet Krasniqit nga komuniteti rom, vazhdon të mbetet në gjendje të mjerueshme, pasi që asgjë nga pajisjet nuk i ka shpëtuar.

Ai thotë se familjarët e tjerë janë akomoduar nga komuna në një hotel, derisa sipas tij, situata është e vështirë pasi që nuk ka mjete për ta riparuar shtëpinë.

Krasniqi shprehet i shqetësuar se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh, pasi sipas tij, për kaq kohë është lejuar akomodimi në hotel për anëtarët e familjes së tij.

Edhe qytetarë të tjerë të Mitrovicës kanë thënë se dëmet janë të mëdha dhe se u duhet ndihmë nga shteti për ta tejkaluar situatën.

Ndërkohë, përveç qytetarëve, edhe një pjesë e bizneseve janë dëmtuar shumë.

Vetëm njëri prej punëtorëve të një kompanie në këtë qytet thotë se dëmet si pasojë e vërshimeve janë deri në 10 mijë euro.

Nga Komuna e Mitrovicës janë zotuar se të gjithë qytetarëve do t’u dalin në ndihmë, derisa kanë thënë se askush nga ta nuk do të mbetet pa u akomoduar, derisa shtëpitë e tyre të bëhen sërish të mundshme për banim.

Mitrovica ka qenë njëra ndër komunat që më së shumti është prekur nga vërshimet, derisa dëmet në ekonomitë familjare, toka bujqësore, e në infrastrukturë janë të konsiderueshme.

Banorët, por edhe zyrtarët komunalë kanë kërkuar ndihmë nga shteti për t’u dalë në ndihmë atyre.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.