
Mjeku shqiptar në Belgjikë, Ramadan Jashari tha në një intervistë për “Good morning Albanians” në Euronews Albania se eutanazia është ndihmë për pacientin.
Sipas tij, ajo bën të mundur një vdekje dinjitoze për ata persona që janë duke vuajtur dhe vuajnë nga një sëmundje e pashërueshme.
“Të gjitha aspektet e eutanazisë janë të rregulluara me ligj, kjo është më e rëndësishmja. Ka keqinterpretime nga disa qarqe jo mjekësore dhe jo juridike. Vdekja e kontrolluar nuk është vrasje, vdekja e kontrolluar është kërkesë me dëshirë e personit,” – u shpreh Jashari.
Është e rëndësishme të vihen re llojet e eutanazisë sipas metodave të përdorura. Termi eutanazi aktive përdoret kur merren medikamente specifike që çojnë në ndërprerjen e proceseve jetësore në trup. Në të kundërt, eutanazia pasive është privimi i pacientit nga procedurat mbështetëse dhe mbyllja e pajisjeve që lidhen me proceset e tij të jetës.
Eutanazia e asistuar është një lloj i tretë, që është sigurimi i mjekimeve të nevojshme për pacientin, së bashku me udhëzimet se si t’i marrë ato.