
Raporti: Viola Korça / Kanal10
Policia e Kosovës ka arrestuar dy kirurgët e dyshuar për marrje të rryshfetit nga pacientët në Spitalin e Vushtrrisë, derisa është kërkuar edhe arrestimi i anëtarit të Bordit Drejtues të SHSKUK—së, Isuf Zekaj, i dyshuar për veprën e njëjtë. Nga Spitali i Vushtrrisë kanë thënë se kanë shkarkuar Zekajn nga puna, derisa dy kirurgët tjerë janë suspenduar, shkruan Kanal10.
Dy kirurgët e Spitalit të Vushtrrisë, Arsim Latifaj dhe Ekrem Sefiu të cilët dyshohet se morën me qindra euro rryshfet nga pacientët, janë arrestuar të martën nga Policia e Kosovës.
Ndërsa, prokurori i shtetit ka urdhëruar policinë që të arrestojë edhe kirurgun Isuf Zekaj cili është edhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, e po dyshohet për veprën e njëjtë.
“Me vendim të prokurorit, të dyshuarit, sipas komunikatës, janë ndaluar për 48 orë, dhe brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarit. Njëherit, prokurori i Shtetit njofton opinionin se ka urdhëruar policinë që të arrestojë edhe të dyshuarin – mjek të spitalit në Vushtrri, me iniciale I.Z., me dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dhe posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh, po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë”, Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Drejtoresha e Spitalit të Vushtrrisë nuk ka pranuar të prononcohet për rastin, derisa zëdhënës për informim në këtë spital kanë thënë se Zekaj është shkarkuar nga puna, kurse dy kirurgët tjerë janë suspenduar.
“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”, tha Avdullah Klinaku – Zyrtar për Informim në Spitalin e Vushtrrisë.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë thënë se të tre kirurgët janë anëtarë të kësaj ode, por që ata do të vendosin se çfarë masa do të marrin, pas vendimeve që do të merren nga organet e drejtësisë.
Ndërsa, gazetari Bujar Vitija, i cili edhe bërë ka publik këtë skandal ka treguar se si pacientët kanë paguar deri në 200 euro për t’iu nënshtruar një operacioni.
Ai ka thënë se ky rast tregon dështimin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.
Për rastin reagoi një ditë më parë edhe Ministria e Shëndetësisë nga e cila thanë se gjatë ditëve në vijim do të ndërmarrin të gjitha masat e parapara ligjore.