Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Moska humbet afro 30 mijë ushtarë çdo muaj, thotë Zelensky

Gazeta10
29 July 2026 - 9:58

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka tërhequr vëmendjen mbi koston e rëndë njerëzore që po paguan Rusia në konfliktin e vazhdueshëm, ndërsa theksoi se udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin, vijon të kundërshtojë çdo përpjekje për paqe.

Gjatë një interviste për Fox News, e zhvilluar pasi mori pjesë në homazhet në nder të senatorit amerikan Lindsey Graham — të cilin e vlerësoi si “një mik të madh të popullit ukrainas” — Zelensky zbuloi se forcat ruse pësojnë rreth 30 mijë humbje në muaj.

“Çdo muaj, Putin humb 30 mijë ushtarë. Janë humbje kolosale, por prapëseprapë ai nuk pranon ta ndërpresë këtë luftë. Ja pse iniciativa nuk i përket më atij”, deklaroi kreu i shtetit ukrainas.

Ai shtoi se si Ukraina, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë, ndajnë të njëjtin synim përfundimtar: t’i jepet fund luftës.

“Ne synojmë ta mbyllim këtë konflikt. Presidenti Trump e do këtë, edhe evropianët. Vetëm Putin nuk e dëshiron. Ne kërkojmë pa u lodhur që luftimet të pushojnë. Kjo kërkon reagimin tonë, që ne të tregohemi të vendosur e të fortë. Mbështetemi te sanksionet. Projektligji i Lindsey Graham ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm”, vuri në dukje ai.

Një ditë më parë, më 28 korrik, Zelensky u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump. Vetë Zelensky e përshkroi këtë takim si “pozitiv dhe produktiv”.

Pas bisedimeve, ai ndau në platformat sociale përshtypjet e tij: “Kaluam një takim të frytshëm me presidentin Trump në Zyrën Ovale. I jam mirënjohës për gjithçka që po realizojmë së bashku për të mbrojtur jetën e ukrainasve dhe për të quar përpara paqen.”

Presidenti ukrainas tregoi se në fillim të diskutimit i shfaqi ngushëllimet homologut amerikan për humbjen e senatorit Lindsey Graham, përpara se të kalonin te çështjet e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve.

Sipas Zelenskyt, tema kryesore ishin licencat për ndërtimin e raketave interceptuese Patriot dhe plane të tjera që mund të kontribuojnë për Ukrainën. Njëkohësisht, të dy liderët diskutuan mbi ringjalljen e rrugës diplomatike, ndërkohë që ekipet e tyre do të vijojnë punën për detajet e komunikimeve të ardhshme.

Presidenti i Ukrainës nuk ngurroi të shprehte mirënjohjen e tij për përkrahjen konstante që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar vendit të tij.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.