
Raporti: Kanal10
Pas vendimit të qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me qindra seanca gjyqësore janë anuluar në vend. Njohës të drejtësisë kanë thënë se kësisoj shumë seanca po rrezikohen që të kthehen në pikën zero. Sipas tyre, me vendimin e ekzekutivit po dëmtohen qytetarët, derisa kjo po ndikon negativisht edhe në vet performancën e gjyqësorit.
Numër i madh i seancave gjyqësore po vazhdojnë të ndërprehen si shenjë revolte pas uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e Qeverisë së Kosovës.
E nga reduktimi i punës së gjykatave dhe prokurorive po dëmtohen qytetarët.
Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Liridon Salihi ka thënë se mos mbajtja e seancave do të ndikojnë negativisht edhe në vetë performancën e gjyqësorit, derisa një numër i madh i lëndëve do të barten për vitin e ardhshëm.
Ndërsa, hulumtuesi në Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala ka thënë se KGJK-ja dhe KPK-ja i janë ekspozuar një vendimi arbitrar dhe kundërkushtetues të Qeverisë së Kosovës, ku për pasojë po dëmtohen më së shumti qytetarët.
Shala po ashtu thotë se nëse vazhdon mosmbajtja e seancave gjyqësore do të rëndohet lista e lëndëve që janë në pritje, derisa shumë seanca do të rrezikojnë të kthehen në pikën zero.
Mbi 150 seanca për dy ditë janë shtyrë vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, derisa Apeli ka anuluar tetë seanca të premten e 14 të enjten. / Kanal10