
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka thënë se procesi është përmbyllur, me përjashtim të zgjedhjes së njërit prej nënkryetarëve.
Duke folur për votimin e deputetes së Listës Serbe dhe qëndrimin e LVV-së ndaj kësaj partie, Murati tha se pozita e nënkryetarit nga komuniteti serb është e përcaktuar me Kushtetutë.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se posti i takon Listës Serbe, përderisa kjo parti ka shumicën e deputetëve të komunitetit serb.
“Listës Serbe nënkryetarin e Kuvendit ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, jo ne”, deklaroi Murati.
Ai theksoi se LVV-ja në legjislaturat e kaluara kishte votuar kundër kandidatëve të Listës Serbe, duke synuar që posti t’i takonte një kandidati tjetër nga komuniteti serb.