
Gazetari, Fahir Musliu, ka thënë se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, është deformuar fizikisht nga rrahjet në burgun e Pozharevcit, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se sulmet ndaj tij në kohën kur ai ka qenë në burg janë trillime të ulta.
Më tej, ai ka thënë se Kurti ka përjetuar dajak si shtazë.
“Të akuzosh njeriun që është në burg, që ka përjetuar dajakun si shtazë, që është deformuar prej dajakut… A e ke pa si ecën Albini? Dhe t’i thuash atij se ai gjatë kohës së luftës ka qenë me vajzën e Sokoloviqit në Klinë, kjo është një imagjinatë e çuditshme, unë habitem prej nga vjen”, është shprehur Musliu në Klan Kosova.
Më tej, Musliu ka thënë se ai ka reaguar për Kurtin me fakte teksa e ka shpjeguar edhe intervistën e Kurtit të dhënë për media në burgun e Pozharevcit.
“Unë kam reaguar për të, me fakte. I them datën kur është arrestuar, ku ka qenë në burg. Tash ia shohin për të madhe pse ka dhënë deklaratë për mediat e huaja. Nuk ka dhënë deklaratë. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka organizuar vizitën e ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Jankoviqit, në burgun e Pozharevcit, kanë qenë jashtë ata, dhe gazetarët e pyesin dhe Albini që është i tillë, që flet, e di anglishten, është përgjigjur, nuk është intervistë. Intervistën ma ka dhënë mua në vitin 2001, në burg, me kërkesën time ndaj ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Batiqit me lejen e Gjingjiqit dhe unë kam shkuar në Qupri, kam bërë intervistë me Albinin. Këto për mendimin tim janë bukur të ulëta. Albinin kanë shkuar e kanë marrë me zor Policia dhe Kryqi i Kuq, nuk ka dashtë me dalë Albini. Albini ka thënë nuk dal pa shokët e mi”, tha Musliu. / Gazeta10