Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Musliu për Drejtorin e Policisë: Dha urdhra politikë nga zyrat e Grupit Parlamentar të VV-së

Gazeta10
06 October 2026 - 12:05

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, se në protestën e djeshme i dha urdhrat nga zyrat e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Musliu tha se qytetarët u goditën natën me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore derisa po protestonin paqësisht.

“Gazmend Hoxha, nga zyrat e Grupit Parlamentar të VV-së, me urdhra politikë, Policia e Kosovës u përdor për të sulmuar qytetarët që po protestonin paqësisht. Kjo është e pafalshme! Tri javë protestë paqësore, pa incidente, dhe në vend të përgjigjes institucionale, qytetarët u goditën natën, në terr, me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore”, tha Musliu.

Deputetja e PDK-së më pas pyeti: “Kush e dha urdhrin? Kush e autorizoi këtë veprim? Kush vendosi që ndaj protestuesve paqësorë të përdorej kjo forcë?”.

Musliu tha se Inspektorati Policor i Kosovës duhet të reagojë menjëherë dhe të nisë hetim të plotë për zinxhirin komandues dhe urdhrat e dhënë.

“Ky nuk mund të mbetet një incident pa përgjegjësi. Mos e përdorni Policinë e Kosovës për urdhra politikë! Dëmi që po i bëhet besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës është i madh. Policia duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve, jo pushtetit politik. Pabesia në terr ndaj protestuesve paqësorë nuk mund të kalojë në heshtje. Duhet hetim. Duhet përgjegjësi”.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.