
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos përkrahje ndaj bizneseve në vend, shkruan Gazeta10.
Musliu-Shoshi ka theksuar situatën pas pandemisë dhe ndikimin e luftës në Ukrainë, si dy faktorë që kanë dëshmuar sipas saj mosmbështetjen e Qeverisë ndaj sektorit ekonomik.
‘’Në fakt pa dashur që ky emision të shndërrohet në emision politik, mendoj se kjo qeveri nuk është duke ofruar asnjë ndihmë për bizneset. E dimë që pas pandemisë vështirësitë kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha në sektorin ekonomik. Bizneset e mëdha e ato të vogla dhe mesme kanë pasur jashtëzakonisht probleme e vështirësi. E dimë sa ka qenë ndihma nga Qeveria, ka qenë fare e vogël, e mjerueshme dhe nuk ka ofruar asnjë ndihmë, mundësi për bizneset e vogla dhe mesme, lërë më të mëdhatë. Sepse e dimë që është një shumë jashtëzakonisht e madhe që është dashur të kompensohen për humbjet e tyre gjatë pandemisë. Poashtu jemi në komunikim me operatorë ekonomik dhe e dimë që shumë prej tyre janë në kredi të mëdha, për shkak pandemisë, por edhe për shkak vështirësive ekonomike që po përballet jo vetëm Kosova por edhe rajoni.”, tha ajo në “PolitikOFF”.
Por, sa i përket asaj se opozita a po ndihmon sektorin ekonomik, ajo ka thënë se kjo është kompetencë e Qeverisë që u votua më shumë se 51%.
“Në fakt opozita nuk është ajo që duhet të ofroj zgjidhje, sepse qytetarët më shumë se 50% e kanë votuar Albinin që të ofrojë zgjidhje dhe jo opozitën. Nuk ka ofruar zgjidhje.”, tha ai./Gazeta10