
Futbollisti brazilian, Neymar i ka dhënë fund aventurës së tij të pasuksesshme por fitimprurëse financiarisht si lojtar në Arabinë Saudite, pasi pranoi të rikthehej në klubin e tij mëmë Santos.
Lajmi se Neymar ka pranuar të rikthehet në Santos-in e tij erdhi si një “rrufe në qiell të hapur”. Edhe pse dihej se do të largohej nga Al-Hilal dhe Arabia Saudite, pritej që shumë shpejt të bëhej lojtar i ri i Inter Miamit.
Ish-partnerët e tij në sulmin e Barcelonës, Lionel Messi dhe Luis Suarez e thirrën atje, por ai megjithatë vendosi të ndjekë zemrën dhe vullnetin e tifozëve dhe të kthehet në Santos. Konfirmimi i transferimit pritet të arrijë së shpejti.
Pavarësisht se u shkrua shumë për të ardhurat e Neymarit, dhe për mënyrën se si ai i “rrënoi” sauditët, tashmë faqja e specializuar Capology prezantoi të dhëna krejtësisht të pabesueshme për fitimet e futbollistit brazilian në vitin e kaluar kalendarik.
Për shkak të një dëmtimi në ligamentin e kryqëzuar, Neymar luajti vetëm dy ndeshje vitin e kaluar, dhe kaloi 42 minuta në fushë. Gjatë asaj kohe, ai fitoi 101 milionë euro në vitin 2024.
Kjo do të thotë se Neymar fitoi 50.5 milionë euro për paraqitje në vitin 2024, ose 2.4 milionë euro në minutë. Interesant është fakti se për çdo prekje me topin, Neymar arkëtoi 1.1 milionë euro.