Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nga Ura e Ibrit te Manastiri i Deçanit, KFOR-i nis një fazë të re të sigurisë

Gazeta10
11 August 2026 - 7:31

Pas më shumë se dy dekadash, KFOR-i ka nisur një ndryshim gradual të mënyrës së ofrimit të sigurisë në dy pika të rëndësishme në Kosovë.

Në Manastirin e Deçanit ka filluar integrimi gradual i Policisë së Kosovës në sigurimin e objektit, ndërsa në Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, KFOR-i ka nisur procesin e tërheqjes së pranisë së përhershme.

Misioni i NATO-s ka bërë të ditur se të dyja proceset do të zhvillohen në mënyrë graduale, në varësi të situatës së sigurisë në terren dhe në koordinim me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

KFOR-i ka theksuar se ndryshimi i angazhimit në këto dy lokacione është pjesë e optimizimit të pozicionimit të trupave të tij, si rezultat i përmirësimit të përgjithshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.

“Përkushtimi i KFOR-it ndaj sigurisë së Manastirit të Deçanit dhe të gjitha komuniteteve lokale mbetet i palëkundur”, thuhet në njoftimin e misionit.

KFOR-i ka sqaruar se, edhe pas ndryshimit të mënyrës së sigurisë në Manastir, mbetet reaguesi i parë për sigurinë e objektit, ndërsa trupat e tij janë të gatshëm të reagojnë ndaj çdo zhvillimi në përputhje me mandatin e misionit.

KFOR-i nuk po largohet nga veriu

Sa i përket Urës së Ibrit, KFOR-i ka bërë të qartë se tërheqja graduale e pranisë së përhershme në urë nuk nënkupton largimin e tij nga Mitrovica apo nga veriu i Kosovës.

Misioni do të vazhdojë të ketë prani në të dyja pjesët e qytetit dhe në zona të tjera të veriut, ndërsa ndryshimi i vendosjes së trupave do të bëhet sipas nevojave dhe zhvillimeve të sigurisë.

Sipas KFOR-it, komandanti i misionit është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës, por edhe me përfaqësuesit e Serbisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konsideruar zhvillim pozitiv nisjen e këtij procesi.

Ai ka thënë se me përmirësimin e situatës së sigurisë pritet të reduktohet gradualisht edhe prania e Policisë së Kosovës në Urën e Ibrit.

“Patjetër që ky është një lajm i mirë. Gjithë procesi do të vijojë në koordinim të ngushtë me KFOR-in, i cili deri tani ka pasur përgjegjësinë e sigurisë në këtë urë”, ka deklaruar Sveçla.

Sipas tij, procesi synon të japë garanci se hapja e urës nuk do të ketë ndikim negativ për asnjë komunitet.

Sveçla ka paralajmëruar se në periudhën e ardhshme do të ketë hapa të tjerë që do të bëhen publikë, duke e cilësuar Urën e Ibrit si një simbol të ndarjes së Mitrovicës për 27 vjet.

Lista Serbe kundër zvogëlimit të pranisë së KFOR-it

Ndërkohë, Lista Serbe ka kundërshtuar vendimin për zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit.

Kjo parti ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, për t’i përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar që masa të ndalet.

Lista Serbe ka argumentuar se situata politike dhe e sigurisë, si dhe tensionet e së kaluarës në këtë zonë, kërkojnë kujdes të shtuar sa i përket pranisë së forcave të sigurisë në urë.

Ura kryesore mbi Ibër ka qenë për vite një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në Mitrovicë dhe një prej simboleve më të njohura të ndarjes së qytetit. Aktualisht, ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Ndërkohë, në vitin 2014, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës edhe për trafik, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kohët e fundit, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar edhe dy ura të reja pranë urës kryesore, një për këmbësorë dhe një për automjete.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.