Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nis licencimi i bizneseve të kriptovalutave, njohësit sugjerojnë përmirësimin e ligjit

Gazeta10
12 July 2026 - 15:05

Rreth 10 biznese që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve janë mbyllur gjatë kësaj jave nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).
Kjo, në kuadër të zbatimit të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut që do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

E gjithë kjo ndodhi pikërisht në javën kur nisi edhe licencimi i bizneseve të kësaj fushe, bazuar në ligjin e veçantë për kriptovalutat.
Por, për këtë proces, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë detaje për KosovaPress, me arsyetimin se ende është në zhvillim.

“Duke pasur parasysh se disa procese janë ende në zhvillim dhe fazë finale, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) nuk preferon të prononcohet në këtë fazë.Megjithatë, pas përfundimit të procedurave përkatëse, do t’ju informojmë me kohë për çdo zhvillim relevant”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Për tu licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës, duhet fillimisht të hapet biznesi, të vendoset bordi i tij, të kualifikohen edhe bordi edhe themeluesi i kompanisë dhe pastaj të bëhet pagesa për aplikim dhe depozitimi i bankës.

“Prej marsit të këtij viti ne kemi një ligj të veçantë për kriptovaluta që quhet KASO, që është i bazum në MiCA regulation. MiCA regulation është rregullacioni ose ligjet e Bashkimit Evropian për kriptovaluta, që për çdo shtet që synon me u anëtarësu në Bashkimin Evropian, patjetër duhet me apliku sidomos bazamentin e këtij ligji. Banka Qendrore e Kosovës ka fillu shumë seriozisht me e shty përpara idenë e licencimit të këmbimoreve të cilat janë në Kosovë, edhe tash shumica e këmbimoreve veç janë në proces të licencimit.. Fillimisht duhet me i pagu 5 mijë euro për aplikim, për me u licencu. Pastaj janë 160 mijë euro që duhesh me i pas depozitë në xhirollogarinë bankare të kësaj kompanie. Këto janë para të kompanisë, mirëpo në rast se këmbimorja në të ardhmen bën ndonjë gabim ose ndonjë mashtrim, atëherë kjo shumë e parave ka me u përdor për me i mbulu humbjet e klientave të cilët janë dëmtu”, shton ai.

Por, ligji që rregullon kryesisht operatorët dhe këmbimoret e kriptovalutave, e që synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe përafrimin me rregullat e Bashkimit Evropian, sipas njohësve të fushës duhet të përditësohet, sidomos në pjesën e tatimit, edukimit dhe ndarjes së aktiviteteve financiare nga ato të marketingut.

Për më tepër, vlerësohet se e vështirëson ardhjen e kompanive të mëdha ndërkombëtare të kriptovalutave në Kosovë.

Edhe njohësi i fushës, Veton Brahimi, vlerëson se ligji kërkon përditësim në disa pjesë.

Ai thekson ndryshimin e ligjit në pjesën tatimore, të formohen kornizat, që sipas tij ato të tanishmet nuk përcillen mjaftueshëm me hapat e zhvillimit të teknologjisë.

“Ligji për kriptovalutat në Kosovë është miratuar që nga viti 2024 dhe kryesisht rregullon operatorët ose Exchange dhe i mbron konsumatorët e Kosovës, është një ligj shumë me vend, ka nevojë për përmirësime dhe përditësime në disa pjesë, por ky është ligji që e kemi për momentin. Ligji është me vend por duhet të përditësohet pjesa e tatimit, sipas ligjit që e kemi është që njëjtë si vepron në Evropë për kriptovaluta. Për tatim duhet të formohen kornizat, për shkak se ato të tanishme nuk përcillen mjaftueshëm me hapat e zhvillimit të teknologjisë. Ne e dimë që ligjet vonojnë derisa të miratohen, teknologjia hec me një hap më të shpejtë, duhet të ketë hapësirë për rishqyrtim edhe njëherë. Është një proces i ngadalshëm por duke ecur, të gjithë operatorët vetëm kanë marrë ftesë nga BQK të cilat operojnë në mënyrë publike dhe janë proces e sipër për marrjen e licencave”, thotë Brahimi.

CEO i Crypto Albanian, Labinot Bajrami, thotë se Kosova është ndër vendet me interesimin më të madh për kriptovaluta në rajon dhe Evropë. Por e pranon se mbetet e komplikuar teknikisht forma e investimit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.