Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Një ditë pas marrëveshjes, BE-ja ndan 647 milionë dollarë për hekurudhat e Serbisë

Gazeta10
28 February 2023 - 16:18

Bashkimi Evropian i dha një grant prej 610 milionë eurosh (647 milionë dollarë) Serbisë për ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore që do të lidhë Serbinë jugore me Evropën Qendrore.

Granti u nënshkrua simbolikisht në një tren në prani të Komisionerit të Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi, i cili tha se marrëveshja tregonte se BE po përmbush premtimin e tij për të investuar në ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Siç raporton Reuters, linja 208 kilometra duhet të lidhë kryeqytetin serb, Beogradin me qytetin jugor të Nishit. Kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet në 2.7 miliardë euro.

Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se granti i BE-së ishte më i madhi i dhënë ndonjëherë Serbisë, e cila ka marrë gjithsej 420 milionë euro grante të BE-së deri më tani, transmeton Gazeta10.

“BE tani po na jep 610 milionë euro si dhuratë”, tha Vuçiq, duke shtuar se linja e re hekurudhore do t’u mundësojë udhëtarëve nga Nishi të arrijnë në Budapest në më pak se pesë orë.

Vuçiq tha se Serbia do të sigurojë 525 milionë euro për projektin dhe do të marrë hua prej 1.1 miliardë euro dhe 550 milionë euro respektivisht me EIB dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Varhelyi mbërriti për ceremoninë e nënshkrimit në Beograd një ditë pasi Vuçiç u kthye nga Brukseli ku mori pjesë në bisedimet për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi që synonte normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe ish-krahinës së saj të Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thuhet se ranë dakord për marrëveshjen, por thanë se nevojiteshin më shumë bisedime për zbatimin e saj./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.