Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Një javë pas tërmetit, shkon në mbi 41 mijë numri i të vdekurve në Turqi e Siri

Gazeta10
13 February 2023 - 19:37

Raporti: Kanal 10

Është bërë një javë që nga tërmeti me pasoja të mëdha goditi Turqinë dhe Sirinë. Numri i viktimave vazhdon të rritet ende, derisa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin persona që kanë mbetur nën rrënojat e objekteve të shembura. FSK-ja deri me tani ka nxjerrë 4 persona nga gërmadhat, derisa BE-ja i ka premtuar ndihmë Turqisë, për t’u përballur me pasojat.

Lot gëzimi, të përcjella me britma të mëdha, ishin pamjet e një burri në Turqi, pasi kuptoi se nëna e tij është nxjerrë e gjallë nga rrënojat në Hatay, 178 orë pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë. 

Derisa, edhe një javë pas tërmetit shkatërrues, vazhdon të rritet numri i të vdekurve në Turqi e Siri.

Shifra e të viktimave ka shkuar në 41 mijë të vdekur ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas saj, rreth 32 mijë persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë Jugore të hënën e kaluar dhe mbi 9 mijë kanë vdekur në Siri.

Derisa,  teksa kërkimet për të mbijetuar të mundshëm nën rrënojat e objekteve të shembura, ende janë duke vazhduar nga ekipet e shpëtimit.

Njerëz të gjallë të cilët kishin mbijetuar nën gërmadhat e ndërtesave, janë nxjerrë edhe të hënën, një javë pas tërmetit shkatërrues të 6 shkurtit.

Një vajzë e vogël është nxjerrë gjallë nga rrënojat e një ndërtese në jug të Turqisë. Vajza e quajtur Miray, ishte ngujuar nën rrënojat e një ndërtese të shembur për afro 178 orë.

Në Hatay, një grua me emrin Naide Umay, është shpëtuar pas 175 orëve nën rrënoja, dhe është dërguar në spital.

Ndërkohë, zyrtarët turq kanë njoftuar se janë lëshuar 113 urdhërarreste në lidhje me ndërtimin e ndërtesave që janë shembur, ndërsa 12 persona janë marrë në paraburgim, përfshirë edhe kontraktues.

Ndërkohë, për operacionin e kontingjentit të FSK-së në Turqi, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka takuar stafin e lartë të dikasterit që drejton, për detajet e misionit të kërkim-shpëtimit në vendin ku ndodhi tërmeti.

Ai ka shtuar se aktualisht po operojnë me kontigjentin e specializuar të FSK-së në provincën Hatay, që është rajoni më i prekur nga tërmeti shkatërrues.

“Ushtarakët tanë profesionistë në fushën e kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar deri më tani katër persona, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm në rrënojat e ndërtesave, së bashku me ekipet turke dhe forcat e shteteve të tjera. Urojmë që të ketë të tjerë të mbijetuar, ndërsa pjesëtarët tanë të vazhdojnë me vullnet e përkushtim kërkimin dhe shpëtimin e tyre”, ka thënë Mehaj.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka premtuar Turqisë ndihma për ta përballuar gjithë këtë situatë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Bashkimi Evropian po përgatitet të sigurojë tenda, batanije dhe ngrohëse shtesë, për të ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Në një telefonatë me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, bëhet e ditur se der Leyen ka thënë se po mobilizojnë gjithashtu sektorin privat për të ofruar mbështetjen e nevojshme sa më shpejt që të jetë e mundur.

https://youtu.be/8eNJ3dSHSZ8

Nga Rubrika
Lajme
15 August 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.