Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Njohësit s’e përjashtojnë mundësinë që në veri të ketë sërish zgjedhje pas pak muajsh

Gazeta10
24 April 2023 - 18:48

Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në katër komunat e veriut, tashmë dilemat janë rritur tek mënyra e funksionimit të tyre, me kryetarë të rinj. Pjesëmarrja e ultë në votime, vlerësohet si pengesë për legjitimitetin e këtij procesi zgjedhor. Njohës të këtyre proceseve, nuk përjashtojnë mundësinë që këto komuna të shkojnë sërish në zgjedhje, pas pak muajsh.

Ndonëse me numër minimal të votave, katër komunat veriore të cilat janë pa kryetar që nga 6 nëntori i vitit të kaluar, këtë diel u bënë me prijës të ri.

Madje, për herë të parë Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani të cilat janë të banuara me shumicë serbe, do të udhëhiqen nga kryetar shqiptar.

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët në katër komunat veriore, e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit zgjedhor.

Ajo thotë se nëse kryetarët e zgjedhur në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nuk mund të marrin detyrën brenda 30 ditëve pas certifikimit të zgjedhjeve, duhet të shpallen përsëri zgjedhjet e reja.

Ndërkohë, drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë se kryetarët e rinj do të kenë vështirësi në plotësimin e mandatit të tyre.

Por, ndryshe mendon njohësi i kushtetutës Mazllum Baraliu.

Ai ka thënë se nuk pret probleme nga serbët, pasi që me mospjesëmarrjen e tyre në zgjedhje ata kanë konfirmuar që udhëhiqen nga komunat paralele.

Nga zgjedhjet në veri, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë fituar nga dy komuna.

PDK nga zgjedhjet e 23 prillit ka fituar komunën e Zubin Potokut dhe Zveçanit, ndërkaq Mitrovicën e Veriut e Leposaviqin e ka fituar Lëvizja Vetëvendosje. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.