
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
Në temperatura të ulëta nxënësit e ShkollësFillore “Hajriz Muhadini” në Dremjak të Ferizajt, po detyrohen që të mbajnë mësim. Kjo pasi punëtorët teknikë nuk po arrijnë të merren vesh me drejtorin e kësaj shkolle në lidhje me atë se punë e kujt është ngrohja e objektit. Punëtorët teknikë kanë thënë për televizionin se nuk paguhen për këtë punë, andaj edhe nuk do ta bëjnë.
Kanë shpenzuar qindra euro për t’i blerë drutë, por ngrohjet e shkollës nuk janë lëshuar në funksion.
Përkundër që kanë të ftohtë, nxënësit e Shkollës Fillore “Hajriz Muhadini” në Dremjak të Ferizajt, po detyrohen që në këto temperatura të ulëta të mbajnë mësim.
Kjo pasi dy punëtorët teknikë që punojnë në këtë shkollë nuk po pranojnë që të lëshojnë ngrohjen.
Punëtorët teknikë kanë thënë prapa kamerave se nuk paguhen për të ngrohur objektin, andaj edhe nuk do ta bëjnë këtë punë.
Derisa, punëtorët teknikë nuk po pranojnë të merren me ngrohjen e objektit, një punë të tillë, thotë se herë pas here po e bën vet drejtori i shkollës.
Ndërsa, me t’u informuar për rastin, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt i ka shqiptuar masën disiplinore punëtorëve teknikë.
Për shkak të temperaturave të ulëta, nxënësit e shkollës “Hajriz Muhadini” gjatë së martës u liruan për në shtëpi, pa mbajtur mësim.