
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Për shkak të dëmtimeve të gypave të ujësjellësit, shtëpitë e pesë familjeve në fshatin Lushta të komunës së Mitrovicës janë në hall. Oborret e shtëpive të tyre vazhdimisht po vërshohen nga ujërat të cilat po e bëjnë gjendje jo të mirë për jetesë. E nga KRU “Mitrovica” kanë thënë se nuk janë të njoftuar për problemin, por që do ta dërgojnë një ekip.
Familja Rrustemi nga fshati Lushtë i Komunës së Mitrovicës, janë në hall nga rrjedhja e ujit nga gypat e ujësjellësit.
Si shkak i dëmtimit të gypave të kanalit dhe pjerrtësisë së tokës ku ata jetojnë, të gjitha ujërat kalojnë në oborrin e tyre.
Një gjë e tillë po i shqetëson banorët, pasi edhe pemët e tyre janë duke u dëmtuar nga lagështia e tepërt.
E ngjashëm po ballafaqohen edhe familje të tjera të cilët thonë se ujërat po depërtojnë edhe në bodrume.
E nga KRU “Mitrovica” kanë thënë se nuk janë të informuar për rastin.
Zëdhënësi i kësaj kompanie, Naim Baliu ka thënë se do të dërgojnë një ekip për të verifikuar situatën në teren.
Përmes telefonit, Baliu i ka thënë Kanal10 se pa e dërguar ekipin për verifikimin e gjendjes, nuk mund të thotë asgjë rreth shkaqeve të problemit me të cilin po ballafaqohen banorët e këtij fshati.
Me probleme të ngjashme po ballafaqohen shumë familje në vend, ku si shkak i mos intervenimeve me kohë, ku dëme po pësojnë banorët.