
Raporti: Arbenita Ilazi/Gazeta10
Përveç partive opozitare, kritikë ndaj gjuhës së pushtetit kundër sistemit të drejtësisë janë shprehur edhe nga organizatat dhe gazetarët që e monitorojnë këtë sektor. Ata kanë thënë se deklarimet e tilla përbëjnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Derisa, gazetarët kanë folur rreth dyshimeve për kontratat e lidhura nga KEK-u me kompani të ndryshme.
Përfaqësues të organizatave jo qeveritare kanë kundërshtuar deklarimet e eksponentëve të pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë.
Sulmet kundër prokurorisë dhe gjyqësorit, ata i kanë konsideruar si të papranueshme, pasi sipas tyre, deklarime të tilla përbëjnë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Hulumtuesja në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Eranda Zekaj, ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë dhe se organet e hetuesisë duhet të lihen të lira ta bëjnë punën e tyre.
Ndërkaq, gazetari Lavdim Hamidi, i cili ka përcjellë për rreth 20 vjet sektorin e energjisë në Kosovë, ka thënë se disa kontrata të nënshkruara së fundmi nga KEK-u lënë dyshime për keqpërdorime.
Ai ka përmendur disa prej këtyre kontratave që sipas tij janë lidhur me kompani të vogla e të pazhvilluara.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimet për tri vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe të konfliktit të interesit.