
Raporti: Saranda Aliu
Për situatën e krijuar në veri të vendit, është mbajtur seancë e veçantë ne Kuvendin e Kosovës. PDK-ja e LDK-ja patën kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti, të cilin e quajtën gënjeshtar, e i cili sipas tyre ka vepruar në mënyrë avantureske. Për këtë, u kërkua edhe shkarkimi i tij. Ndërsa, Kurti tha se për ndërhyrjet në pjesën veriore është koordinuar me ndërkombëtarët.
Situata në veri të vendit dhe prishja e raporteve me aleatët, e sollën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti para deputetëve të legjislativit.
Megjithëse, seanca nisi me 40 minuta vonesë, kreu i ekzekutivit është përballur me akuza e kritika të shumta nga opozita, derisa ai i ka sqaruar veprimet që janë marrë në katër komunat e veriut.
Pavarësisht që ndërkombëtarët e kritikuan atë për veprime të njëanshme, para ligjvënësve, Kurti ka thënë se ka pasur bashkërendim me aleatët, duke deklaruar se këto protesta nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi.
Ai ka deklaruar se hyrja e kryetarëve në rinj në objektet komunale është dashur të shoqërohej me forca policore, duke shtuar se një veprim të tillë vazhdon ta mbështesë edhe tash.
Ndonëse, ditë më parë i vlerësoi naive, tanimë kryeministri i quajti të tepruara deklaratat e ndërkombëtarëve, duke thënë se ato nuk i ndihmuan situatës.
Ndërkaq, i njëjti përmendi një listë emrash, që sipas tij, janë organizatorë të trazirave në veri.
Deputetët e VV-së e duartrokitën kryetarin e tyre për ato se çfarë i tha, por të ashpra qenë kritikat e krerëve të partive opozitare.
Derisa e quajti çlirimtar të serbëve, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i kërkoi Kurtit të shkojnë bashkë në veri. E për organizimin e zgjedhjeve të reja, i tha se duhet ta harrojë këtë çështje.
E sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti do të jetë shkak për humbjen edhe të sovranitetit, e edhe të aleatëve.
Krasniqi e Abdixhiku i kërkuan shefit të ekzekutivit që t’i arrestojë kriminelët, meqenëse ua din emrat, por Kurti e pati një pyetje interesante për ta.
Ndërkaq, edhe para deputetëve, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kërkoi shkarkimin e kryeministrit Kurti.
Gjithë seanca e së premtes ka kaluar me përplasje, kritika e akuza ndërmjet pushtetit dhe partive opozitare për situatën e krijuar në veri të vendit. /Gazeta10/