Ordinanca e Iljasa Fazliut “AAR Logo Plus”, nuk është licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Kështu ka bërë të ditur zyra për media e MSH-së në një përgjigje për Gazetën Shneta. Nga MSH kanë deklaruar se ordinanca “AAR Logo Plus” me themelues Iljasa Fazliun, nuk figuron në databazën e institucioneve të licencuara nga MSH.
“Pas verifikimit në data bazen e institucioneve të inspektuara për vitin 2021 dhe atë të periudhës: Janar – Nëntor 2022, nuk figuron të jetë inspektuar subjekti ”AAR Logo Plus” me themelues Z. Iljasa Fazliu, dhe në bazë të të dhenave nga Divizioni për licencim dhe akreditim të Institucioneve private shëndetësore nuk rezulton të jetë i licencuar”, thuhet në përgjigje.
Ordinanca “AAR Logo Plus” e regjistruar në Agjencina e Bizneseve në emrin e Iljasa Fazliut, nuk ka paraqitur shërbime shëndetësore në aktivitetet e biznesit. Nga MSH janë thirrur në këtë arsyetim dhe nuk kanë dhënë sqarime pse ky institucion nuk është inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor.
Kjo për faktin se ndonëse Fazliu nuk ka paraqitur shërbime shëndetësore në këtë ordinancë, sipas njoftimeve në rrjetet sociale ai ka kryer shërbime të logopedisë dhe defektologjisë.
I njëjti nuk ka as licencë pune si profesionist dhe kjo është konfirmuar nga Oda e Infermierëve të Kosovës të cilat kanë thënë se Fazliu nuk është i licencuar.
Megjithatë kjo nuk e kishte penguar atë që të vazhdojë punën edhe në shërbimin e Logopedisë në Klinikën e ORL-së në QKUK, e madje edhe të avancohet në pozitën e shefit nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi. Kjo e fundit kur është pyetur sot nga gazetarët për këtë çështje, është përgjigjur me fjalët “Jam nxan, tung”.
Sot gjatë ditës është publikuar një audioincizim ku Iljasa Fazliu dëgjohet duke abuzuar me një fëmijë 5-vjeç e cila ishte e diagnostikuar me autizëm dhe ishte dërguar nga prindërit për trajtim. /Gazeta Shneta/