Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Osmani: BE-ja të mos kërkojë të zbatohet diçka që s’jemi pajtuar (VIDEO)

Gazeta10
16 May 2023 - 19:42

Raporti: Fjolla Xheladini

Megjithëse, takimi i së hënës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel ka përfunduar pa rezultate, krerët shtetërorë kanë kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjes. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë që presin nga BE-ja të kërkojë zbatim për gjërat që janë pajtuar e jo për ato që nuk ka pasur pajtueshmëri. Ndërsa, kryeministri, Albin Kurti është shprehur se dëshirojnë që marrëveshja të zbatohet në plotni, e jo vetëm neni shatat i saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos kërkojë zbatim të marrëveshjes për diçka që nuk është pjesë e saj.

Ajo ka thënë se Kosova nuk mund të dalë përtej asaj që është shkruar në marrëveshje dhe se interpretimet e tilla, sipas saj, nuk i ndihmojnë procesit të dialogut.

Osmani ka kërkuar se pret që edhe interpretimet e miqve të Kosovës të jenë në përputhje me tekstin e marrëveshjes.

Osmani ka thënë se Kosova do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive në dialog, derisa sipas saj, do të kundërshtojë idetë që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja me Serbinë e ka brenda edhe Asociacionin, por që sipas tij, ky mekanizëm nuk është kryesori në këtë dokument.

Ai ka kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjes dhe të mos jetë përqëndrimi vetëm te neni shtatë i saj.

Kurti ka thënë se kanë vërejtje për propozimin e ndërmjetësit evropian të dialogut, Miroslav Lajçak për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se kanë kërkuar nga Lajçak që të jetë i balancuar dhe gjithëpërfshirës.

Ndërkaq, ka kërkuar nga BE-ja që të hiqet referimi i Kosovës me asterisk, fusnotë, pas marrëveshjes me Serbinë, e cila sipas tij, është bërë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.

Kurse, i pyetur për modelin e Tirolit Jugor për Asociacionin në Kosovë, Kurti ka thënë se ka modele të shumta që po fliten.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kërkuar që të dyja palët t’i mbahen zotimeve për zbatimin e marrëveshjes.

“Kosova është zotuar që të filloj procesin e themelimit të Asociacionit. Serbia gjithashtu duhet të filloj me implemtimin e detyrimeve të veta. Ne presim se nuk do ta kundërshtoj Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe t’i njeh dokumentet.”

Tomas Szunyog – Ambasador i BE-së në Kosovë

Edhe ambasadorët e Francës e të Suedisë kanë kërkuar të ketë implementim të marrëveshjes së Ohrit, si dhe krijim të dialogut në mirëbesim./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.