Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Osmani e ambasadori turk me dekorata e fjalë falënderimi për kontigjentin e FSK-së

Gazeta10
21 February 2023 - 19:31

Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dekoruar pjesëtarët e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës pas kthimit nga operacioni i shpëtimit në Turqi. Fjalë mirënjohje e falendërimit për kontributin e tyre u thanë edhe nga përfaqësuesit e Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Ekipi kosovar kishte arritur të shpëtoj 4 persona, ndër ta edhe një fëmijë dy vjecar nga rrënojat e tërmetit. 

Detyrën që e patën e përfunduan.

Kështu pas 14 ditësh kontingjenti i FSK-së i  dërguar në Turqi për ndihmë pas tërmetit u kthye në Kosovë.

Gjatë qëndrimit atje, ushtarët e FSK-së kishin arritur ti shpëtonin 4 persona duke i nxjerr të gjallë nga nën rrënojat.  

E për këtë rol heroik, Presidentja Vjosa Osmani u përkujdes të ndaj dekorata për ta. 

Për ndihmën e Kosovës në Turqi u shpreh falënderues edhe ambasadori i  këtij vendi në Kosovë, Tunç Angili.

“Në sytë tanë, ju të gjithë jeni heronj që punuat me guxim në kushte shumë të vështira dhe shpëtuat jetë njerëzish, përfshirë edhe një fëmijë dyvjeçar. Ju jemi mirënjohës edhe juve zonja presidente, Qeverisë së Kosovës, si dhe popullit të Kosovës, që na ndihmuat në kohën tonë të vështirë si materialisht ashtu edhe moralisht, ky akt mbështetjeje dëshmon edhe një herë se miqësia dhe vëllazëria mes dy vendeve tona janë të fuqishme dhe mjaft solide”- Tunç Angili – Ambasador i Turqisë në Kosovë

Për misionin e kërkim shpëtimit në Turqi foli edhe kapiteni i FSK-së, Egzon Syla.

“Ne arritëm që menjëherë të fillojmë operacionin, ku si sukses i kësaj ishte edhe shpëtimi i jetës së njerëzve, ku qysh ditën e parë arritëm të shpëtojmë një vajzë 6-vjeçare dhe nën e saj nga rrënojat. Sakrifica të cilën e kishin pjesëtarët tonë për të shpëtuar jetë na kanë bërë të ndjehemi mirë, dhe sidomos mua si kapiten i kontingjentit. Kjo më ka bërë të besoj se Kosova kurdo herë që ka nevojë, ka djem dhe vajza që janë të gatshëm të sakrifikojnë më të shtrenjtën për atdheun”

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë kthyer të hënën në mbrëmje në Kosovë nga Turqia.

Në  aeroportin e Prishintës, ata u pritën nga kryeministri Albin Kurti, ministri Mehaj dhe familjarët e tyre. 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.