
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në një vizitë zyrtare në Bullgari, ku ndër të tjera, është nderuar me Çelësin e Sofjes, raporton Gazeta10.
Osmani ka dekoruar ushtrinë bullgare dhe ka pranuar një mirënjohje nga universiteti publik.
Në njoftimin nga Presidenca e Kosovës, më tej bëhet e ditur se ushtarët bullgar kanë shërbyer dhe vazhdojnë të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
Tutje, bëhet e ditur se Osmani ka thënë se Bullgaria që nga viti 1999 ka qenë në anën e Kosovës.
Më tej, thuhet se kjo vizitë ka hapur shumë mundësi të bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Presidentja Vjosa Osmani në vizitën zyrtare Bullgari: dekoroi ushtrinë bullgare, mori mirënjohje nga universiteti publik dhe u nderua me Çelësin e Sofjes
Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prezencë të presidentin bullgar Rumen Radev, ministrit në detyrë të mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe gjeneralmajorit Valeri Tsolov, ka dekoruar Forcat e Armatosura të këtij shteti me Medaljen Ushtarake Presidenciale për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR-it në Kosovë.
Presidentja Osmani theksoi se aktualisht në kuadër të KFOR-it, në Kosovë akoma shërbejnë ushtarët bullgarë, teksa nga viti 1999, janë 1600 ushtarë bullgarë, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Teksa ka folur për pasojat e luftës në Kosovë dhe intervenimin e NATO-s, Presidentja Osmani ka theksuar se Bullgaria qysh në atë kohë ishte në anën e Kosovës.
“Bullgaria nuk ishte ende anëtare e NATO-s në vitin 1999, megjithatë mori vendime të vështira por të drejta për të siguruar që ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë të ishte e suksesshme në ndalimin e krimeve monstruoze nga forcat gjenocidale të Millosheviqit”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në Universitetin “Shën Kirili e Metodi”, Presidentja Osmani u nderua me mirënjohje, e më pas para diplomatëve, stafit akademik dhe studentëve foli për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.
Kurse Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme dhe e të gjuhëve indo-evropiane dhe Ballkanike i ka dhuruar mirënjohje për studimin dhe kultivimin e mëtejmë të gjuhës shqipe në kuadër të Departamentit të Ballkanistikës.
Gjatë vizitës në Bullgari, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në shenjë nderimi i është dhuruar çelësi i Sofjes nga prefektja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova.
“Çelësi hap dyer. Kjo vizitë zyrtare në Bullgari ka hapur shumë mundësi bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve e kryeqyteteve si dhe qytetarët tanë do t`i ofrojë më shumë ndër vete në funksion të dobisë reciproke”, ka theksuar Presidentja Osmani”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës. / Gazeta10