
Bosnja e Hercegovina sot shënon 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka shpallur edhe zyrtarisht 11 korrikun Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Srebrenica është simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit.
Ajo ka potencuar se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat.
“Srebrenica nuk është vetëm një vend në hartë, por një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit.
Tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore.
Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”, ka shkruar Osmani.
Kombet e Bashkuara (OKB) në maj të këtij viti ka miratuar rezolutën që përcakton 11 korrikun si Dita e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.