
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron në vizitë zyrtare në SHBA, ka treguar se është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama
Osmani në një intervistë dhënë për VOA, tha se ka raporte të shkëlqyera me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Por, presidentja theksoi se raportet ndërpersonale mes politikanëve janë “komplet të parëndësishme”.
“Raportet ndërpersonale të politikanëve janë komplet të parëndësishme. Të rëndësishme janë raportet ndërmjet shteteve. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me z.Begaj. Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete, janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individual”, tha Osmani.
Ajo tha se “nuk është aspak e drejtë” që të arsyetohet Serbia se pse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë Siç duket kjo është një përgjigje për Edi Ramën, pasi ai disa ditë më parë (14 shtator) tha se nuk duhet bërë presion ndaj saj.
“Prandaj po them që raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individual. Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në ‘spastrim etnik’, pasi ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë”, shtoi Osmani. /Gazeta10