
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin dhe profesionalizmin e demonstruar nga ushtarët e KFOR-it në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit.
Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme.
Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe konfirmoi partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.
E para e vendit, pati një takim edhe me ambasadorin italin në Kosovë, Antonello De Riu ku në bisedën me të, Osmani kërkoi që grupet kriminale në veri të mbështetura nga Serbia të dënohen.
Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes.