Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pamje nga operacioni i Policisë në veri, bastisen disa lokacione që lidhen me Radojiçiq (Video)

Gazeta10
29 September 2023 - 7:53

Ashtu siç raportuam edhe më herët, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës ka filluar një aksion në veri të vendit, duke bastisur disa lokacione.

Sipas Portalit Kossev operacionet policore aktualisht janë duke u zhvilluar në pjesën veriore të Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

“Dy punonjës policie kanë nxjerrë nga pallati ku ndodhet lokali Grey dy thasë letre, të cilat i kanë ngarkuar në makinën zyrtare. Nuk dihet se çfarë ka në to. Siç na ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Rajonit verior të Policisë së Kosovës, këto operacione, përkatësisht bastisjet po kryhen në lidhje me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë”, shkruan Kossev.

Siç mëson KoSSev, kontrolli është duke u kryer në këtë godinë, si dhe në një nga pjesët, pra shërbimin e KBC-së brenda ambientit të spitalit.

“Ndërtesa e përmendur lidhet me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin autoritetet e Kosovës tani e kanë identifikuar si liderin e grupit që sulmoi policinë në Banjska të dielën dhe vrau njërin. Kjo ndërtesë tashmë është kontrolluar në vitin 2018, nga ku, siç besohet, Radoiçiq ka arritur t’u shpëtojë autoriteteve kosovare”, shkruan tutje media lokale.

Sipas tyre përveç Policisë së Kosovës, në rrugë janë parë edhe një numër i madh i veturave të EULEX-it kurse në godinën ku u krye kontrolli ndodhen edhe pjesëtarë të këtij misioni, siç supozohet, të cilët janë pjesë e operacionit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.