
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shqipe Pantina, ka deklaruar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë, i cili pritet të mbahet të enjten, do të jetë vendimtar për të ardhmen e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
E ftuar në emisionin “Adresa” në Kanal10, Pantina tha se në mbledhje pritet të marrin pjesë shumica e 355 delegatëve të Kuvendit, për t’i dhënë drejtim procesit që, sipas saj, ka nisur me kërkesën e 152 nënshkruesve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
“Nesër do të mblidhen shumica nga 355 anëtarët për t’i dhënë një drejtim një procesi që tashmë ka filluar nga 152 nënshkruesit e kërkesës për të thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit. Unë po them, sikurse Sadiku, nesër ose do të shkarkohet Abdixhiku, ose do të vazhdojë të mbijetojë edhe për një vit e disa muaj. Çfarëdo që të ndodhë, unë dua të besoj që LDK prapë do të qëndrojë unike”, tha Pantina.