
Raporti: Kanal10
Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në takimin e 18 marsit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka shprehur qëndrimin e prerë se nuk do të ketë marrëveshje, në qoftë se nuk themelohet Asociacioni. Derisa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka ftuar Kosovën dhe Serbinë ta shfrytëzojnë momentin për normalizimin e raporteve.
Në vizitën e fundit në Kosovë, Miroslav Lajçak, tha pas takimit me liderët shtetëror të Kosovës se mori pritshmëritë që kishte rreth dialogut dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë, pas dakordimit të të dyja palëve për planin evropian.
Por, të martën, emisari i BE-së për këtë proces, nga Beogradi, ua ka bërë me dije krerëve institucional të Kosovës se nuk do të ketë marrëveshje në qoftë se nuk themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje. Qëllimi është të kërkojmë një situatë të favorshme dhe të hapim derën evropiane”, deklaroi Lajçak.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë momentin dhe ta pranojnë Planin Evropian për normalizimin e raportove, pasi që është kyç për stabilitetin e tërë rajonit.
“Mendoj se është një mundësi që të dyja palët duhet të shfrytëzojnë momentin sepse normalizimi është i një rëndësie kyçe për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Kam shumë shpresë që të dyja palët do të jenë konstruktive në diskutimet e ardhshme”, ka deklaruar Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian.
E pikërisht themelimi i Asociacionit, sipas shoqërisë civile, pritet të jetë pengesë për zbatimin e Planit Evropian, i cili do të diskutohet në takimin e 18 marsit në Ohër.
Të enjten dhe të premten e javës që shkoi, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ua ka propozuar liderëve të Kosovës 15 modele të të drejtave të pakicave, që mund t’i shqyrtojë Kosova, të cilat, Kurti tha se janë duke i trajtuar.
Kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandar Vuçiq, do të takohen sërish me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me ndërmjetësimin e Josef Borrellit dhe Miroslav Lajçakut.
Në këtë takim, pritet të diskutohet plani i zbatimit të marrëveshjes së propozuar nga Gjermania dhe Franca, i cili njihet si Plani Evropian, e të cilin Kurti e Vuçiq, e pranuan në parim gjatë takimit të 27 shkurtit në Bruksel. /Gazeta10