Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë

Gazeta10
13 March 2023 - 19:33

Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10

Ngritja e çmimit të energjisë ka përplasur partitë politike. Derisa partia në pushtet nuk po shprehet kundër, ato opozitare kanë paralajmëruar veprime kundër rritjes së tarifave të energjisë elektrike, të paralajmëruar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Nga VV-ja thonë se po e presin propozimin final të ZRrE-së, derisa opozitarët, kërcënuan se të njëjtin do ta dërgojnë në kushtetuese.

Nga prilli i këtij viti, qytetarëve mund t’iu vijë fatura e energjisë elektrike me çmim me të lartë.

Këtë po e kërkon Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

E kjo kërkesë për ngritjen e çmimit të energjisë prej 14 për qind, e ka përplasur sërish pushtetin dhe opozitën.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeverisë i takon ulja e ndikimit negativ për qytetarët nga këto tarifa.

Kundërshtime të ashpra kundër një vendimi për ngritjen e tarifave të energjisë, kanë paralajmëruar partitë opozitare.

Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se nëse merret një vendim i tillë, atëherë do ta dërgojnë në kushtetuese.

E sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kjo rritje është krejtësisht e panatyrshme.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se do të bëjnë gjithçka që kjo rritje të mos ndodhë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë deri me tani ka pranuar komente nga Presidenca e Kosovës, Qeveria, Partitë politike, KEK-u, KESCO dhe KEDS-i.

Në komentet e saj, presidenca ka kërkuar që në këtë kohë ta shqyrtojnë shmangien e rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

Aktualisht në Kosovë, deri në 800 kw, tarifa e shtrenjtë është 6.75 cent dhe tarifa e ulët është 2.89 cent për kilovat. Nëse kalohen 800 kw, tarifa e shtrenjtë ndryshon në 12,52 cent dhe tarifa e ulët ndryshon në 5,90 cent për kilovat. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.