
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka parandaluar një ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës.
Sipas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Yacht”, në kuadër të të cilit është arrestuar në flagrancë shtetasi M. M., 34 vjeç, banues në Vlorë.
“Gjatë patrullimit në lagjen “Uji i Ftohtë”, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në vendin e quajtur “Rrapi”, punonjësit e Policisë konstatuan një konflikt për motive të dobëta mes 34-vjeçarit dhe shtetasit E. H., 41 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës. Gjatë ndërhyrjes, 34-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga punonjësit e Policisë.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, nga veprimet e para hetimore dyshohet se gjatë konfliktit, 34-vjeçari ka tentuar të përdorë një armë zjarri pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga shërbimet e Policisë.
Në njoftim thuhet se më pas arma është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, sipas njoftimit, gjatë kontrollit të automjetit të tij, është gjetur një përforcues metalik grushti, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.