Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pas takimit Trump – Al-Sharaa, Siria do t’i bashkohet koalicionit kundër ISIS-it

Gazeta10
11 Nëntor 2025 - 8:55

Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar për ta luftuar grupin ISIS, duke shënuar një ndryshim në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, ka konfirmuar një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Njoftimi erdhi kur presidenti Trump e priti në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa – vizita e parë e tillë nga një udhëheqës sirian në historinë e vendit, raporton televizioni BBC.

Në një intervistë në televizionin “Fox News”, presidenti sirian tha se vizita e tij është pjesë e një “epoke të re” në të cilën Siria do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara.

Siria tani do të jetë shteti i 90-të që bëhet pjesë e koalicionit global që i ka për qëllim eliminimin e elementeve të mbetura të ISIS-it dhe pengimin e shkuarjes së militantëve të huaj në Lindjen e Mesme.

Pas takimit mes dy presidentëve, një zyrtar i lartë i administratës amerikane gjithashtu konfirmoi se Departamenti i Thesarit i ShBA-së, bashkë me Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Tregtisë, do të njoftojnë masa të reja për heqjen e kufizimeve ekonomike ndaj Sirisë dhe për ofrimin e “qartësimit të pëlqimeve për investitorët”.

Si pjesë e masave, administrata amerikane gjithashtu do të lëshojë një pezullim 180-ditor të Aktit të Cezarit, me të cilin që nga viti 2019 është sanksionuar ish-qeveria siriane.

Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale disa orë pas takimit me homologun sirian, Trumpi tha: “Ne duam që ta shohim Sirinë duke u bërë një shtet që është shumë i suksesshëm dhe mendoj se ky udhëheqës [Al-Sharaa] mund ta bëjë këtë. Vërtet mendoj ashtu.”

Ky ishte takimi i tretë mes dy presidentëve, pasi fillimisht ishin takuar në maj, në margjinat e Këshillit të Gjirit Persik për Bashkëpunim dhe më pas në një darkë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Vetëm javën e kaluar, Departamenti i Thesarit i ShBA-së e largoi presidentin sirian nga “lista e terroristëve globalë të përzgjedhur në mënyrë speciale”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.