
Raporti: Egzona Shala / Kanal10
Mbi 100 familje nga Komuna e Mitrovicës që kanë mbetur pa kulm mbi kokë për shkak të vërshimeve, iu është siguruar strehimi nga komuna. Qytetarët e strehuar kanë thënë se nuk iu ka mbetur asgjë dhe nuk kanë mjete për rregullimin e tyre. E nga komuna kanë kërkuar ndihmë nga niveli qendror për kalim të situatës.
Vërshimet në Komunë e Mitrovicës kanë lënë shumë familje e biznese me dëme të mëdha.
Mbi 100 familje, të cilave u janë dëmtuar shtëpitë, komuna i ka strehuar në vende të ndryshme.
Disa prej të strehuarve kanë thënë se nga vërshimet kanë humbur gjithçka dhe nuk dinë më se ku të kthehen, pasi vendi është i pabanueshëm dhe nuk kanë të ardhura të mira për riparim.
E disa të tjerë thonë se për momentin kanë nevojë vetëm për veshmbathje, pasi për shkak të vërshimeve nuk kanë mundur të marrin asgjë.
Drejtoresha e Mirëqenies dhe Punëve Sociale, Drita Ibrahimi ka thënë se pagesa e qerasë për të gjitha familjet do të bëhet nga komuna deri në zgjidhje të situatës.
Derisa, ka njoftuar se gjatë ditës do të plotësohen edhe nevojat e tjera të qytetarëve të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
E nënkryetari i komunës, Arian Tahiri ka thënë se presin ndihmën e nivelit qendror.
Familjet e dëmtuara nga vërshimet janë vendosur në hotele dhe shtëpi private.
Ndërsa, lagjet më të prekura nga vërshimet kanë qenë Lagja “Bajr”, “2 korriku”, “Fidanishtja” dhe lagje të tjera.